Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi sot pretendimet në lidhje me “Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis” të kompanive private që kërkojnë të ndërtojnë hidrocentralin e Kalivaçit në Vjosë.
Ayen Enerji” dhe “Fusha sh.p.k” paditën në muajin shkurt 2021 qeverinë pasi ministria e Mjedisit, në shtator 2020, nuk u miratoi VNM-në, e cila është një nga dokumentet themelore për t’i hapur rrugë ndërtimit të hidrocentralit. Dy kompanitë pretendojnë se rrëzimi i VNM-së nga ministria u bë në mënyrë të padrejtë.
Organizata mjedisore EcoAlbania, e cila ka ndjekur çështjen, njoftoi në një deklaratë për shtyp se Gjykata e hodhi poshtë pretendimin e kompanive si “thelbësisht të pabazuar”.
EcoAlbania së bashku me organizata ndërkombëtare si EuroNatur, Riverëatch dhe 39 banorë të Kalivaçit mbështetën ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit në vendimin e muajit shtator 2020 për të mos i dhënë dritën jeshile hidrocentralit të Kalivaçit pasi diga dëmton biodiversitetin e lumit dhe jetesën e komunitetit të zonës.
Teksa njoftoi vendimin e gjykatës përmes një postimi në Twitter, drejtuesi i Riverëatch Ulrich Eichelmann tha se vendimi do të thoshte se “projekti i Kalivaçit ka vdekur” dhe “Vjosa është e sigurt”.
Në këtë proces gjyqësor ne kemi sjellë pranë gjykatës argumentin e shumë shkencetarëve vendas dhe të huaj, të cilet kanë kritikuar raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të paraqitur nga kompania pranë institucioneve,” – tha avokati i çështjes Vladimir Meci.
Prej të paktën shtatë vitesh grupet mjedisore kanë kërkuar mbrojtjen e gjithë rrjedhës së lumit Vjosa teksa së fundmi ato i kanë kërkuar qeverisë ta shpallë “Park Kombëtar”.
Kërkesa për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar” është mbështetur publikisht edhe nga aktori, njëherësh aktivist mjedisor, Leonardo DiCaprio.
“Përshëndesim vendimin e gjykatës dhe mendojmë se ky është një tjetër mesazh i dhënë për qeverinë që duhet të heqë dorë në mënyrë përfundimtare nga ndertimi i hidrocentraleve dhe të shpallë sa më parë gjithë luginën e Vjosës Park Kombëtar,” – tha Olsi Nika drejtues i EcoAlbania.
Në dhjetor 2020 qeveria e shpalli një pjesë të Vjosës “Park Natyror”, mirëpo mjedisorët shprehen se ky kategorizim lë sërish të hapur mundësinë që mbi lum të ketë projekte që mund të rrezikojnë biodiversitetin.
Hidrocentrali i Kalivaçit fillimisht iu dha me koncesion kompanisë “Hydro SRL” në vitin 1997. Projekti parashikonte rreth 125 milionë euro investim për një hidrocentral me kapacitet prej 94 MW.
Punimet për ndërtimin e tij u zvarritën disa vite për probleme me pagat e punonjësve dhe kundërshti nga banorët e zonës në lidhje me vlerësimin me çmim të ulët të tokave.
Rreth dy dekada më vonë, në vitin 2017, qeveria vendosi të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën me “Hydro SRL” për “mos-përmbushje të punimeve”.
Pavarësisht kontestimeve nga shoqatat mjedisore, të cilat kundërshtonin ndërtimin e një dige në Vjosë, qeveria hapi tender të dytë të cilin e fitoi bashkimi i kompanive “Ayen Enerji” dhe “Fusha sh.p.k” në “AYEN-ALB”.
Përveç hidrocentralit të Kalivaçit, edhe hidrocentrali i Poçemit është aktualisht i bllokuar në procese gjyqësore. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në vitin 2017 shpalli të pavlefshme kontratën koncesionare të kompanisë “Kovlu Energy” teksa çështja u apelua.