Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes projektit për portin e Durrësit po grabit portin më të rëndësishëm të Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë së Lirisë, Meta tha se Rama kërkon t’i bëjë shqiptarët për budallenj duke deklaruar se porti është një ndër investimet strategjike të vendit.
Më tej, ai i ka konsideruar mashtrime edhe deklaratat e Ramës se do të investohej 2 miliardë euro në këtë projekt.
“Duhet të veprohet menjëherë sepse janë faktet publike. Do ecim në këtë rrugë të çmontimit të kësaj afere monstruoze. Grabit portin më të rëndësishëm të vendit. Kërkon grabitësi kryesorë që ta falenderojnë për grabitjen për faktin se do t’i marrë për budallenj durrësakët dhe shqiptarët. Faktet janë shumë të rënda. Ka thënë se e bën gjithë këtë investim. Ka hall për të shtuar 12 mijë vende pune.
Nuk besoj se kanë harruar njerëzit për aeroportin e Kukësit. Ky vetëm i vuri vetëm furçën dhe tha se do hapë 12 mijë vende pune. 2 miliardë eurot që do vinin menjëherë, ky ishte një mashtrim pasi vetëm 3.4% do japin këta. Aq sa i kanë dhjetra biznesmenë në vendin tonë. Ndërsa eurot e tjera, janë si ato apartamentet në Tiranë, shit apartamente dhe blen tulla”, tha Meta.
Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Meta preku edhe një skandal tjetër siç është ai i koncensionit për ndërtimin e aksit rrugor Lekaj-Fier, pjesë e autostradës Milot-Fier.
Sipas kreut të PL-së, përmes këtij konçensioni do të harxhohen 320 milionë euro, ndërkohë që ajo do të bëhet me pagesë për kalimin e automjeteve.
“Një aferë tjetër ka ndodhur, koncensioni i rrugës Lekaj-Fier ku do harxhohen 320 mln euro për 46 km. Vetëm 8 km janë gjurmë e re rruge. Ndërsa pjesa tjetër është shtim i asaj aktuales, do jetë me pagesë. Do vihet trau si tek rruga e Kombit. Edhe automjeti më i vogël do paguajë të paktën 2.1 euro. Koncensioni është dghënë pa garë. Është paraqitur vetëm konkurrenti fitues. Ajo që është risi në këtë koncension është që dikur, ose deri tani merrnin pjesë 1 konkurrent dhe fitonte me 99% të vlerës. Tani merr pjesë një konkurrent dhe e fiton me 102% të vlerës”, deklaroi Meta.