Skema mbështetëse për panelet e diellit për ngrohje uji, aplikimet arrijnë mbi 2500

Nga data 1 nëntor nisën aplikimet për të gjithë ata që duan të mbështeten nga skema e qeverisë që subvencionon deri në 70 për qind të vlerës së instalimit të paneleve për ngrohje uji. Por teksa kufiri i aplikimeve në këtë fazë të parë është vendosur të jetë 2 mijë, aplikimet kanë tejkaluar këtë shifër ku këtë të mërkurë numëroheshin 2542 aplikime.

Parimi i përzgjedhjes së fituesve nga skema ka në thelb që ai që aplikon i pari shërbehet i pari por aplikantët duhet që të përmbushin disa kushte.

Kështu klientët familjarë që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e mbështetjes për realizimin e investimit duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

-Të paraqesin një kontratë ekzistuese me OSHEE/Furnizuesi i Shërbimit Universal ku të jenë të klasifikuar si abonent familjar dhe një historik të konsumit të energjisë për të paktën 6 muaj, që nuk duhet të jetë më pak se 250 kWh për çdo muaj. Ky kriter nuk është i zbatueshëm per klientët qe trajtohen me ndihmë ekonomike nga ministria përgjegjëse për punët sociale;

-Të vërtetojnë se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU;

-Të zotërojnë certifikatë pronësie për banesën ose njësinë e banimit (rastet që janë në proces legalizimi nuk do të konsiderohen).

Po kështu në aplikim duhet të paraqiten edhe disa dokumentet.

Qeveria e vlerësoi mbështetjen e skemës së paneleve të diellit për ngrohje uji si një formë për të rritur kursimin e energjisë nga ana e qytetarëve në kushtet e krizës. Më herët është deklaruar se kjo është faza e parë e kësaj skeme që nëse rezulton e suksesshme do të pasohet edhe me të tjera.

Aplikanët fitues duhet të lidhin marrëveshjen me një nga kompanitë e përzgjedhura më herët nga ministria për të zbatuar projektin. Nga totali qytetari do të paguajë vetëm 30 për qind të vlerës pasi pjesa tjetër subvencionohet./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *