Para disa ditës në kryeqytet u regjistrua një ngjarje në rrugën “Kristi Maloku”, ku u gjet i pajetë në banesën e tij një 38-vjeçar.
Nga burimet e prokurorisë thuhet se viktima G.Ç., është gjetur i pajetë nga familjarët e tij gjatë orëve të darkës, pasi këta të fundit kanë mbërritur në banesë. Nga materialet e mbledhura deri më tani, një provë e rëdësishme janë mesazhet që i ndjeri ka shkëmbyer me shtetasen me iniciale SH.M. Në to lexohet “…unë me ty erdha në këtë jetë e pa ty do të iki …”
“Gjatë këqyrjes së telefonit të shtetasit G.Ç., janë konstatuar dy mesazhe me interes për hetimin, ku shikohen të drejtuar drejt një nr tel 069******* e regjistruar me emrin “My V***”, ku ndër të tjera shkruhej: … unë me ty erdha në këtë jetë e pa ty do të iki …” : – … dje më dhe goditjen e fundit, por do jem unë i pari që do të bëj këtë për ty…’”, thuhet në materialin e firmosur nga oficeri i Policisë Gjyqësore.
Më pas autoritetet kanë bërë të mundur identifikimin e shtetases dhe kanë kontaktuar me të për t’i marrë dëshminë. Ajo ka treguar se me viktimën kanë patur marrëdhenie me njëri-tjetrin, por në dhjetor të vitit 2020 e ka bllokuar në telefon dhe nuk ka patur më kontakte.
Po ashtu nga këqyrja e telefonit të kësaj shtetaseje nuk janë gjetur mesazhet e viktimës, pasi ajo e ka pasur të bllokuar numrin e tij prej muajsh. Por një zhvillim i ri është fakti se rreth një javë para se 38-vjeçari t’i jepte fund jetës, ajo e kishte takuar dhe e kishte parë në gjendje të rënduar psikologjike dhe i kishte sugjeruar që të rrinte pranë familjes.
“Nisur nga këto mesazhe është identifikuar shtetasja me iniciale SH.M dhe i është marrë deklarim, ku ndër të tjera ka deklaruar se në telefonin e saj nuk i ka ardhur asnjë mesazh nga shtetasi G.Ç. Kjo gjithashtu sqaron se kanë patur disa relata dhe kontakte të vazhdueshme me njeri-tjetrin, por në Dhjetor të vitit 2020 e ka bllokuar në telefon dhe nuk ka patur më kontakte. Pas këqyrjes së telefonit kutia e mesazheve ka rezultuar bosh.
Kjo shtetase ka deklaruar se ka rreth 10 ditë që e ka takuar G.Ç., dhe e ka parë paksa në gjendje të rënduar psikologjike, ku e ka këshilluar që të qëndrojë pranë familjes së tij dhe të jetë i qetë”, thuhej në dokument.
/Burimi Top Chanel/