Emri/ Paketoi dhe fshehu 16 pako me kanabis për t’i transportuar drejt Greqisë, arrestohet i riu në Korçë

Një 20-vjeçar i identifikuar si Egi Bala ka rënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit të zhvilluar ditë më parë ku u arrestua 64-vjeçari Sotiraq Çipi pasi tentoi të kalonte 9.2 kg kanabis drejt Greqisë.

Uniformat blu raportojnë se droga ishte e ndarë në 16 pako dhe e fshehur brenda gomave rezervë të makinës me të cilës i moshuari tentoi të kalonte në Kapshticë.

Sipas burimeve policore, mësohet se Egi Bala ishte personi që kreu ambalazhimin dhe fshehjen e 16 pakove me kanabis në gomat rezervë të makinës me të cilën qarkullonte 64 vjeçari, Sotiraq Çipi.

Sakaq, Blutë bën me dije se ka shkuar në 28 numri i personave të ndaluar për operacionin e organizuar në 12 faza.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor antidrogë i koduar “Restart 12”, i zhvilluar tetë ditë më parë.

Vihet në pranga 1 tjetër shtetas, i përfshirë në tentativën për trafikim drejt Greqisë, të 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Shkon në 28 numri i të ndaluarve gjatë dymbëdhjetë fazave të operacionit “Restart”.

Në vijim të punës për dokumentimin e plotë me prova ligjore dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit “Restart 12”, të zhvilluar më datë 09.11.2022, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– E. B., 20 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë.

Nga veprimet intensive hetimore të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, rezulton se ky shtetas, ka kryer ambalazhimin dhe fshehjen e 16 pakove me peshë 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në dy gomat rezervë të automjetit tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. Ç., i cili u ndalua në Pikën Kufitare të Kapshticës.

Nga ana e Policisë po vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *