Seanca plenare e ditës së sotme është shoqëruar me debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend.
Deputeti demokrat Agron Shehaj është përplasur ashpër me socialistin Damian Gjiknuri, ndërsa në seancën plenare po flitej për rrugën Quks-Qafë Plloç.
Ka qenë fillimisht Shehaj, i cili sulmoi qeverinë për “aferën e Portit të Durrësit”, duke theksuar se mazhoranca e ka bërë rrugë hajdutllinkun pasi Xhaçkës i dha Dhërmiun dhe Gjiknurit Butrintin.
Në kundërpërgjigje, Gjiknuri ka zgjedhur të fyej hapur demokratin ndërsa tha “na thuaj sekretin si një budalla mund të bëhet i pasur”.
Komentet negative mbi figurën e tij kanë revoltuar ashpër Shehajn, i cili kërkoi menjëherë të drejtën e fjalës. Duke qenë se kryetarja e seancës Lindita Nikolla i refuzoi replikën, Agron Shehaj është ngritur në këmbë dhe ka vërshuar për disa minuta në lum sharjesh dhe akuzash ndaj Gjiknurit.
Pjesë nga debati:
Shehaj: Në këtë parlament miratohen çdo ditë ligje për të pasuruar kryeministrin dhe ministrat. Shikoni rastin e ministres së Jashtme, u mor një vendim për të shpallur ministren investitore strategjike, në fillim ministrja u fsheh pas bashkëshortit e më pas pas kunatës. Kjo qeveri që bëri investitore strategjike ministren nuk do të votojë për heqjen e mandatit. Pavarësisht votës tuaj kundër ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një qeveri e cila orkestron çdo ditë një aferë. Ka vendosur të marrë Portin e Durrësit për vetë. Siç i dha Dhërmiun Xhaçkës, Butrintin Gjiknurit. Mashtroi qytetarët duke thënë se qëndronte EMAAR por sot del Alaabar. Keni kapur çdo pushtet, nuk i trembeni as drejtësisë, as opozitës dhe as qytetarëve.
Gjiknuri: Unë nuk erdha këtu për të bërë debate. Sa herë idioti i dobishëm. Mos e përdor këtë foltore për të zëvendësuar Gjykatën e Tiranës. Ti je një rast interesant. Ti sfidon ligjet e natyrës se si ka mundësi të bëhesh ti i pasur me këtë pamje dhe budallallëqet që thua. Ti duhet të jesh një rast i mirë për t’u studiuar. Po të qe për ndërtim shiko ndërtimin tënd, se ke ndërtim aty je fshehur me emër tjetër. Më trego sekretin sesi një budalla mund të bëhet i pasur pasi do t’u jepje shembull miliona njerëzve.
*Shehaj flet nga vendi pa mikrofon…
Lindita Nikolla: Nuk ka replikë mbi replikë…
Agron Shehaj: Më tha hajdut dhe budalla, je një i poshtër, që di vetëm të shash. Një hajdut, një hajdut. Je një copë hajduti. Ti kontrollon drejtësinë bashkë me Ramën. Hajdut. Qepe. Do dalësh në gjyq. Kam punuar, ti nuk e di si është puna.