Një gjykatë holandeze shpalli të enjten dy rusë dhe një separatist ukrainas fajtorë për vrasje masive për përfshirjen e tyre në rrëzimin e fluturimit 17 të Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore në vitin 2014.
Të gjykuar në mungesë, shtetasit rusë Igor Gurkin, Sergei Dubinsky dhe ukrainasi Leonid Kharçenko u shpallën fajtorë, ndërsa shtetasi tjetër rus Oleg Poulatov, i vetmi i përfaqësuar në gjyq, u shfajësua për mungesë provash.
Tre të parët luajtën një “rol kyç” në vendosjen e raketave të llojit “BUK”, e përdorur për të rrëzuar avionin civil, që u ngatërrua me një mjet ajror ushtarak.
Të dënuarve do t’u duhet t’u paguajnë edhe 16 milionë euro familjeve të viktimave dhe kanë 14 ditë për të apeluar vendimin.
Moska, që ka refuzuar të ekstradojë të pandehurit, premton se do studiojë verdiktin.
“Për momentin mund të them se do ta ekzaminojmë vendimin, sepse çdo nuancë e kësaj çështjeje ka rëndësi. Më pas do të bëjmë një koment”, u shpreh Ivan Nechaev, Ministria e Jashtme ruse.
Rrëzimi i avionit me numër fluturimi “MH17” më 17 korrik të 2014-s tronditi botën. Ai ishte nisur nga aeroporti holandez i Shipholit me destinacion Kuala Lumpurin, në Malajzi. Shumica e 298 viktimave ishin shtetas holandezë, por edhe malajzianë e australianë.
Pas vitesh të tëra hetime, analizash të mbetjeve të raketës dhe përgjimit të komunikimeve mes të dyshuarve, gjykata ka arritur në përfundimin se veprimet e tyre ishin kryer në koordinim me Moskën dhe se Rusia u kishte ofruar mbështetje rebelëve në lindje të Ukrainës.