Kryetari i PD, Sali Berisha në takimin e përjavshëm me gazetarët u pyet se ku dhe kur do të ketë protesta.
Ndonëse nuk ka zbuluar datën, Berisha la të kuptojmë se protesta e rradhës do të jetë më 6 dhjetor, pikërisht në të njëjtën ditë ku do të mbahet edhe Samiti i BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Berisha theksoi se qëllimi është që Europa të dijë cilat janë problemet e shqiptarëve.
“Sot është mbledhja e Kryesisë dhe unë do të sugjeroj vendimin për protestën e radhës. Europa vjen në Tiranë, Shqipëria duhet të vijë në Europë për të paraqitur të gjithë problemet me të cilat përballen shqiptarët. Në mënyrën më dinjitoze dhe duke garantuar asnjëlloj vështirësie përveçse mikpriten por duke nderuar Shqipërinë për të sjellë në arenë të themi problemet madhore me të cilat përballen shqiptarët sot. Tani cila do të jetë dita, këtë do e përcaktojë Kryesia e PD. Protesta e parë dridhi themelet e narkoshtetit. Ishte triumfi i popullit opozitar mbi narkokracinë dhe monizimin e plotë. Protesta e dytë them, varet nga dita, synon të sjellë në skenë të vërtetat e mëdha të kombit. është një ngjarje e rëndësishme për vendin”, tha Berisha.