Kinezi që përfitoi rreth 145 milionë euro me anë të mashtrimit, nuk ka lejuar Policinë e Tiranës të hyjë në banesën e tij. Liangbin Chen, i cili kërkohet nga Kina për qëllime ekstradimi dhe mbahet në ‘arrest shtëpie’, është ‘ngujuar’ brenda banesës.
Policia pretendon se ka marrë kontakte me të për arsye pune. Prokuroria e Apelit shkaktoi skandal kur kërkoi ndryshimin e masës së arrestit nga ‘me burg’, në ‘arrest shtëpie’. Liangbin Chen, me profesion programues kompjuterik rezultonte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohej për “Mashtrim me pasoja të rënda”.
Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit rreth orës 14:00 të datës 11 korrik të këtij viti gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore “Air Albania”, në fluturimin Londër-Tiranë.
Shtetasi kinez u arrestua për qëllime ekstradimi për arsye të masës së sigurimit “arrest në burg”, lëshuar nga autoritetet kineze pasi ai njihet si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë rreth 145 milionë euro.
Ndaj tij fillimisht Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, por Chen kërkoi zbutjen e saj dhe largimin nga qelia, për shkak se pretendonte se ishte i sëmurë. Çështja shkoi në Apel dhe gjykata vendosi masën “Arrest shtëpie” për shtetasin kinez, me arsyetimin se i rrezikohej jeta në qelinë e burgut.