Udhëtimi në kohë dhe “makinat e udhëtimit në kohë”, kanë qenë prej dekadash një temë e fantashkencës dhe e shumë filmave. Në fakt, duket se mundësia për të udhëtuar në kohë, qoftë në të ardhmen apo në të kaluarën, e ka ngacmuar për shekuj me radhë imagjinatën e njerëzimit.
Ndërsa shumë njerëz mund të mendojnë se është absurde të besohet që ne mund të udhëtojmë mbrapa ose përpara në kohë, disa nga shkencëtarët më të shkëlqyer në botë, kanë shqyrtuar nëse një ditë mund të bëhet realitet kjo gjë.
Për shembull Albert Ajnshtajni, arriti në përfundimin se e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja ekzistojnë të gjitha njëkohësisht, dhe shumica e dinë konceptin e tij të njohur të relativitetit. Kjo do të thotë se koha është relative dhe jo absolute siç pretendonte Njutoni.
Me teknologjinë e duhur, siç është një anije kozmike shumë e shpejtë, një person është në gjendje të përjetojë disa ditë, ndërsa një person tjetër përjeton njëkohësisht vetëm disa orë ose minuta. Megjithatë, teoritë e Ajnshtajnit patën shumë pak ndikim në kozmologji apo shkencë në përgjithësi.
Shumica e fizikanëve, kanë hequr shumë ngadaltë dorë nga supozimet e zakonshme që ne bëjmë për kohën. Megjithatë, nëse udhëtimi në kohë do të ishte vërtet i mundur, vështirë se mund të mendohet se çfarë do të thotë kjo për njerëzimin.
Kushdo që do të ishte fuqinë për t’u zhvendosur nëpër kohë, do të kishte fuqinë për ta modifikuar historinë. Edhe pse kjo gjë mund të tingëllojë tërheqëse, do të ishte e pamundur të dihen pasojat e çdo ndryshimi të ngjarjeve të së kaluarës, dhe se si do të ndikojë kjo gjë në të ardhmen.
Udhëtimi në kohë në mitologjinë e lashtë
Nëse shohim tekstet e lashta, gjejmë një sërë referencash për udhëtimin në kohë. Në mitologjinë hindu, ekziston historia e mbretit Raivata Kakudmi, i cili udhëton për të takuar krijuesin Brahma. Kur Kakudmi u rikthye në Tokë, në Tokë kishin kaluar 108 juga, dhe mendohet se çdo juga përfaqëson rreth 4 milionë vjet.
Shpjegimi që Brahma i dha Kakudmit, është se koha ecën ndryshe në plane të ndryshme të ekzistencës. Po ashtu, ne kemi referenca në Kuran për shpellën e Al-Kehf. Historia i referohet një grupi të rinjsh të krishterë, të cilët në vitin 250 Pas Krishtit u përpoqën t’i shpëtonin persekutimit dhe u tërhoqën nën drejtimin e Zotit në një shpellë, ku Zoti i vuri në gjumë.
Ata u zgjuan 309 vjet më vonë. Kjo histori përkon me historinë e krishterë të Shtatë të Fjeturve, por me disa dallime.
Një histori tjetër na vjen nga legjenda japoneze e Urashima Taro, një njeri që thuhej se vizitonte pallatin nënujor të Zotit të Dragoit Rujin. Ai qëndroi atje për 3 ditë, por kur u kthye në sipërfaqe, kishin kaluar 300 vjet.
Në tekstin budist, Pali Kanon, shkruhet se në qiellin e tridhjetë Devave (vendi i perëndive), koha kalon me një ritëm të ndryshëm, ku 100 vjet në Tokë llogariten si një ditë e vetme për ta. Brenda mitologjisë antike, ka shumë referenca të tjera për udhëtimin në kohë.
Kërkimi shkencor mbi udhëtimin në kohë
Ndoshta historia më e njohur e udhëtimit aksidental në kohë, është Eksperimenti i Filadelfias,
i cili supozohet se ndodhi në vitin 1943, me synim mbulimin e një anije me valë elektromagnetike, për ta bërë atë të padukshme për radarët e armikut.
Por ai eksperimenti shkoi jashtëzakonisht keq. Anija jo vetëm që u zhduk plotësisht nga Filadelfia, por u tele-transportua në Norfolk, dhe u kthye në kohë për 10 sekonda. Kur anija u rishfaq sërish, disa anëtarë të ekuipazhit zhvilluan çrregullime mendore, disa u zhdukën plotësisht, dhe disa të tjrë raportuan se kishin udhëtuar para në të ardhmen dhe pas në të shkuarën.
Dyshohet se Nikola Tesla, që në atë kohë ishte drejtor i Inxhinierisë dhe Kërkimeve në “Radio Company of America”, ishte i përfshirë në eksperiment, duke bërë të gjitha llogaritjet dhe vizatimet e nevojshme, dhe gjithashtu duke siguruar gjeneratorët.
Në vitin 1960, kemi një tjetër raport interesant rasti të shkencëtarit Pelegrino Erneti, që pohoi se kishte ndërtuar “Chronivisor”, një makineri që i mundësonte dikujt të shihte në të kaluarën. Teoria e tij ishte se çdo gjë që ndodh, lë një shenjë energjie që nuk mund të shkatërrohet kurrë (diçka si regjistrimet mistike Akashik). Erneti dyshohet se ka zhvilluar një pajisje që mund të zbulojë, zmadhojë dhe konvertojë këtë energji në një imazh, si një lloj televizioni që tregon atë që ka ndodhur në të kaluarën.
Eksperimente të diskutueshme në lidhje me udhëtimin në kohë
Në vitet 1980, ka pasur raporte për një tjetër eksperiment të diskutueshëm të udhëtimit në kohë, Projekti Montauk. Nëse eksperimentet e Filadelfias dhe Montauk u zhvilluan vërtet, kjo debatohet ende sot. Gjithsesi, është e arsyeshme të supozohet se ushtria amerikane ishte shumë e interesuar mbi mundësinë e udhëtimit në kohë, dhe do të angazhohej në kërkime të gjera mbi këtë çështje.
Në vitin 2004, Marlin Polman, shkencëtar, inxhinier dhe anëtar i MENSA-s, aplikoi për një patentë për një metodë të shtrembërimit të gravitetit dhe zhvendosjes së kohës. Në vitin 2013, Vasfi Alshdaifat paraqiti një patentë tjetër, për një makineri që bën ngjeshjen e hapësirës dhe zgjerimin e kohës, që mund të përdoret për udhëtimin në kohë.
Sipas PHYS.ORG, fizikani Ronald Malett i Universitetit të Konektikatit në SHBA, po punonte në vitin 2006 mbi konceptin e udhëtimit në kohë, bazuar në teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit. Në atë kohë, Malet ishte absolutisht i bindur se udhëtimi në kohë ishte i mundur.
Ai parashikoi se udhëtimi i njeriut në kohë do të jetë i mundur brenda shekullit XXI.
Edhe fizikani i grimcave Brajan Koks, deklaroi në vitin 2013 se udhëtimi në kohë është i mundur, por vetëm në një drejtim. Por ashtu kemi gjithashtu historinë misterioze të Ali Razekit, drejtor i Qendrës Iraniane për Shpikjet Strategjike, që raportoi për “Daily Mail” se kishte zhvilluar një pajisje që mund të shihte ngjarjet e 3-5 viteve në të ardhmen.
Në teori, udhëtimi në kohë është i mundur, edhe nëse është i vështirë për t’u kuptuar. A na kanë afruar hulumtimet e përmendur më sipër drejt realizimit të udhëtimit në kohë? Nëse po, na mbetet vetëm të shpresojmë që teknologjia të mos bjerë në duar të gabuara.