Vendimi i Polonisë për t’i mohuar vizën ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov për takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së në qytetin polak të Lodz më 1-2 dhjetor nuk është pritur mirë nga ana e Rusisë.
Ministria e Jashtme ruse është shprehur se një veprim i tillë është i paprecedentë dhe provokues, duke shtuar se bie në kundërshtim me statusin e organizatës.
“Vendimi i Polonisë si kryesues aktual i OSBE-së për të mohuar pjesëmarrjen e ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov në një takim të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së në qytetin e Lodz më 1-2 dhjetor është i paprecedentë dhe nxitës. Është i papajtueshëm me statusin e kryesisë së organizatës, në të cilën marrin pjesë 57 shtete sovrane dhe të pavarura në kushte të barazisë së plotë. Në vazhdën e vendimit të Varshavës, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OSBE Aleksandër Lukashevich do të drejtojë delegacionin rus në takimin ministror të organizatës”, tha ministria.
Ndërkohë Ministria e Jashtme ruse, deklaroi se ka nisur një letër të cilin jua ka dërguar dje të gjithë shteteve anëtare të OSBE-së, për të shpjeguar arsyet mbi të cilat është ndaluar pjesëmarrja e ministrit Lavrov.
Me veprimet e saj, Varshava “ka vendosur procedurat e BE-së mbi angazhimet e OSBE-së”, e cila është sot organizata më përfaqësuese pan-evropiane, tha ministria.
Më tej ministria shtoi se “Me vendime të tilla shkatërruese, polakët, të mbështetur nga personat e tyre me mendje të njëjtë në kampin perëndimor, po e shtyjnë OSBE-në drejt një humnerë dhe po i privojnë shanset e fundit për të treguar se ajo është e nevojshme në forcimin e sigurisë dhe vendosjen e bashkëpunimit si synime për hir të së cilës u krijua.”