Përfundon miqësorja Shqipëri-Armeni e luajtur në “Air Albania”. Pas më shumë se 1 viti, kombëtarja kuqezi ka gjetur fitoren, teksa kanë mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 skuadrën armene.
Kuqezinjtë e nisën në sulm takimin, madje në minutën e tretë pretenduan për 11-metërsh. Skuka shpërtheu në zonë pas një asisti perfekt të Asllanit, ndërhyrja e një prej mbrojtësve bëri që ai të rrëzohej në tokë. Gjyqtari bëri shenjë që ndeshja të vazhdonte rregullisht.
Por më pas u sinjalizua nga VAR-i dhe pas vëzhgimit në fund nuk akordoi penallti.
Ndërkohë vetëm pak minuta më pas Shqipëria pati rastin më të mirë për të kaluar në avantazh. Pas një harkimi nga e djathta, Laçi gjuajti me kokë por portieri i armenëve devijoi topin, i cili më pas u ndal nga shtylla.
Ekipi i drejtuar nga Edi Reja zhbllokoi ndeshjen në minutën e 28. Asllani dha një pasim perfekt për Çokajn i cili uli topin për Skukën. Ky i fundit nuk gaboi me gjuajtjen e tij dhe kaloi në avantazh kuqezinjtë.
Në minutën e 63, Shqipëria gjeti edhe golin e qetësisë. Kristjan Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.