Prej më shumë se 24-orëve, Qarku i Shkodrës po përballet me përmbytje si pasojë e reshjeve intensive që kanë përfshirë vendin tonë. U raportua se në 482 banesa ka prezencë të ujit në oborre dhe brenda tyre në këtë qark.
Vetëm në njësinë Administrative Bërdicë janë përmbytur mbi 50 banesa, ku 20 familje janë evakuuar nga Emergjencat Civile. Administratori i kësaj zone ka deklaruar se gjendja është shumë e rënduar dhe se ai shpreson që të mos ketë viktima.
“Që dje pasdite bashkia Shkodër ka qenë në dispozicion të banorëve të Bërdicës, është bërë i mundur evakuimi i 20 familjeve. Janë përcaktuar familjet në rrezik. Aktualisht vetëm në fshatin Bërdicë e Sipërme janë rreth 50 banesa ku kanë ujë në oborre, një qendër shëndetësore është përmbytur. Një pjesë e këtyre familjeve janë vendosur në konvikte dhe pjesa tjetër pranë familjarëve të tyre. Familjet që janë në rrezik i kemi të përcaktuara. Bashkia Shkodër po bashkëpunon me strukturat e veta për zgjidhjen e mëtejshme të problematikave. Këtu fillon përmbytja e zonës së Berdicës dhe ne shpresojmë të mos kemi jetë njerëzore të rrezikuara, për raste të tjera jemi në gatishmëri të plotë”, tha Administratori i Bërdicës.