Prurjet masive të lumenjve/  Rama: KESH do të blejë sërish energji elektrike

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook, në lidhje me reshjet intensive që kanë përfshirë vendin tonë në 24-orët e fundit. Rama shkruan se të gjitha strukturat e shtetit janë në gatishmëri të banorëve në zonat e përmnytura.

Po ashtu Rama ka theksuar në postimin e tij se pavarësisht prurjeve masive të lumenjve dhe arritjen e kuotave maksimale në kaskadat e hidrocentraleve, ku kanë filluar edhe shkarkimet, Rama shkruan se sërish KESH do të blejë energji elektrike.

Sipas tij KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e reshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.

Njoftimi i plotë:

Teksa të gjitha strukturat, nga forcat e emergjencave civile, trupat ushtarake, policia e shtetit, punonjësit e sistemit energjetik, drejtues e ministra respektivë ndodhen në terren, në krye të detyrës ditë-natë, vijon paralelisht edhe përmbytja e kanaleve të komunikimit mediatike me shpifje, akuza e spekullime të llojllojshme.

Prurja më e madhe e dizinformimit vjen lidhur me importin e energjisë.

E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e rreshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.

Sasia e reshjeve rezultoi në nivele ekstreme me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës – 150% e parashikimit sipas modeleve ndërkombëtare të analizës së motit! Vetëm në Theth në 12 orë kanë rënë mbi 400 mm shi me intensitet pik deri në 50 mm/orë. Kjo sasi reshjesh u përkthye në prurje që arritën deri në 4000 m3/sek në lumin Drin, ku vetëm në liqenet e Komanit e Vaut të Dejës prurjet anësore shkuan deri 3500 m3/sek. Në këto kushte, qysh në datën 19 Nëntor u morën masat sipas protokolleve përkatëse, duke hapur portat e shkarkimit për të krijuar mundësi akumuluese në të dy këta liqene dhe duke garantuar sigurinë e digave.

Aktualisht punojnë të 9 agregatët e Komanit dhe Vaut të Dejës dhe sërish shkarkohet për shkak të prurjeve të papërballueshme.

Por, duke shkarkuar në mënyrë të kontrolluar, KESH ka siguruar që efekti i reshjeve në zonën e nën Shkodrës të mos ketë mbivendosje! Përkundrazi, e ka zhvendosur me disa orë efektin e Drinit në të gjithë kombinimin e prurjeve ne këtë zonë (ku shkarkon Buna, Kiri, Gjadri, Moraça etj). Kjo zhvendosja me disa orë e efektit të lumit Drin ka bërë të mundur uljen e pikut të prurjeve maksimale në këtë zonë, duke e ulur nivelin maksimal të ujit.

Për të mos e përkeqësuar situatën, të gjitha prurjet në basenin e sipërm të kaskadës, të cilat vijnë nga Drini i zi dhe i bardhë, po akumulohen prej ditësh në liqenin e Fierzës (me aftësi mjaft të mëdha akumuluese) duke mbajtur prodhimin 0 MË. Në këtë mënyrë përmirësohet edhe rezerva energjetike dhe mbetet keqardhja e madhe për prurjet e llumit të gjysëm të vërtetave, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha mbi pasqyrat e (diz)informimit publik.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *