Konflikti në Lindjen e Mesme/ Çfarë po ndodh në takimin mes Izraelit dhe Egjiptit

Egjipti dhe Izraeli po zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë në të dy vendet për të konsoliduar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant Hamas dhe për të rindërtuar Rripin e Gazës pas një lufte 11 ditore që e la pjesën më të madhe të enklavës bregdetare në rrënoja.

Kryeministri Benjamin Netanyahu priti shefin e zbulimit të Egjiptit dhe dërgoi Ministrin e Jashtëm të Izraelit në Kajro.

Zoti Netanyahu tha se takimi i tij me kreun e Drejtorisë së Përgjithshme egjiptiane të Zbulimit Abbas Kamel në Jeruzalem kishte në qendër çështjet e sigurisë rajonale dhe mënyrat për të mos lejuar Hamasin të merrte ndihma civile.

Një zyrtar egjiptian tha se zoti Kamel, do të takohet gjithashtu me zyrtarë palestinezë në Ramallah para se të shkojë në Gaza për bisedime me udhëheqësit e Hamasit.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry u takua me homologun e tij izraelit, Gabi Ashkenazi në Kajro dhe sipas Ministrisë së Jashtme egjiptiane theksuan nevojën e shmangies e përshkallëzimit veçanërisht në territoret palestineze.

Zoti Shoukry i tha homologut të tij Ashkenazi se Izraeli duhet të marrë parasysh ndjeshmërinë e veçantë të lidhur me Jeruzalemin Lindor, Xhaminë Al-Aqsa dhe të gjitha vendet e shenjta islamike dhe të krishtera, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Diskutimet me zyrtarët izraelitë gjithashtu pritet të prekin një sërë masash që do të lejonin dërgimin e materialeve, energjisë elektrike dhe karburantit në territor, si dhe zgjerimin e mundshëm të hapësirës detare të lejuar për peshkatarët e Gazës, tha zyrtari.

“Roli i Autoritetit Palestinez është thelbësor në bisedime,” tha ai. “Egjipti po përpiqet ta përfshijë atë në procesin e rindërtimit.”

Lufta 11-ditore shkaktoi vdekjen e më shumë se 250 vetëve, kryesisht palestinezë dhe shkaktoi shkatërrim të rëndë në territorin e varfër bregdetar. Sipas vlerësimeve paraprake dëmi llogaritet në qindra miliona dollarë. Egjipti ishte thelbësor në ndërmjetësimin e marrëveshjes mes të dyja palëve.

/Marrë nga: VOA/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *