Kryetari i PD Sali Berisha ka qenë pasditen e sotme pranë familjeve në Obot të Shkodrës. Duke biseduar me banorët, një prej të cilëve njëri tha se janë 1000 ha nën ujë, Berisha tha se është një fatkeqësi e krijuar dhe bazë e problemit është keqmenaxhimi i kaskadës për shkak të vjedhjes.
“Është një fatkeqësi e krijuar, sigurisht reshjet kanë qenë të fuqishme, por bazë absolutisht, themeli është keqmenaxhimi i kaskadës për shkak të vjedhjes. Në një kohë që mund të prodhonin energji për gjithë nevojat e vendit kanë bërë tenderin dhe nuk kanë prodhuar asnjë kilovat gjer sot në mëngjes kur u demaskuan. I kanë hapur mbrëmë pa lajmëruar.
Energjia është shndërruar në një mall me të cilin vjedhin ditë e natë. I kanë marrë KEK-ut të Kosovës 150 mln kilovatë dhe kur KEK-u i Kosovës futi në riparim TEC-et u kërkoi që na e ktheni një pjesë dhe këta nuk i kthyen asnjë pjesë hde tani nuk i kërkojnë dot më. Një pjesë të madhe të energjisë së KEK-ut e shitën”, tha Berisha.
Ai theksoi se kjo është vjedhje me pasoja të mëdha. “Hapin fshehtas tunelin e Komanit, hapin portën e Zadejës së Vaut të Dejës përveç turbinave dhe vjen pastaj përmbytja në mënyrë të rrufeshme. Njerëzit kanë qenë jashtë dhe nuk kanë hyrë dot në shtëpi. Ky nuk njeh asnjë ligj sepse ligjit detyron KESH-in të dëmshpërblejë çdo dëmtim që bën. Ne do marrim nismën duke detyruar KESH-in të krijojë fondin e përmbytjeve, i cili të mos ndikohet nga funksionimi i tij, por të jetë i detyruar që ai fond të ruhet. Ligji detyron atë që përmbyt të paguajë, kurse këtu nuk funksionon sepse këta e kanë shndërruar KESH-in në një ndërmarrje private. Kanë prodhuar në 2021 9 terravat/orë energji, është 2 terravat më shumë se gjithë konsumi i Shqipërisë. Këtë vit është prodhuar fiks i gjithë konsumi i Shqipërisë në këta muaj. Këta bëjnë bixhoz me shitjet e blerjet e energjisë, dhjetëra milionë i çojnë në llogaritë offshore. Kanë 10 vjet që nuk dëmshpërblejnë asnjë”, deklaroi Berisha.
Ai tha më tej se gjysma e ushtarëve të shërbimit profesionist kanë dhënë dorëheqjen, por nuk i lënë se kanë kontratën dhe nuk ua pranojnë. “Japin dorëheqjen se janë me rroga minimale. Oficer burri i botës, kolonel, del punon kamerier pasdite se nuk ia del dot. Këta lumturojnë veten e kujtojnë se lumturojnë popullin. Këta mjerojnë popullin.
Do të bëjmë të pamundurën për të bërë avokatinë e çështjeve të drejtave. Do të çojmë ligjin në parlament për të detyruar KESH-in të ketë fondin e përmbytjeve”, tha Berisha.