Pas takimit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti, ka folur për propozimin e Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe.
Sipas tij, propozimi që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM, është i papranueshëm për palën kosovare.
“Por për neve natyrisht se është e papranueshme nëse kjo nuk shoqërohet për atë çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë”.
“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët Borell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023”, theksoi Kurti.
Kurti shtoi se Borell praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pra, ne që po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje them se ndërmjetësit e BE-së, me këtë rast përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Po them me keqardhje sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i BE-së”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Sipas planit, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor.
Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS.