Kreu i PL-së Ilir Meta përmes një deklarate për mediat, i ka bërë thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në Shkodër dhe Lezhë, për shkak të përmbytjeve.
Ai po ashtu hodhi akuza të forta kur tha se se përmbytja erdhi si pasojë keqmenaxhimi i kaskadave nga shteti.
“Kjo situatë tregon se qeveria ka qenë inekzistente dhe veprimet tepër të vonuara, pasi situata kishte dalë nga kontrolli. Më e rënda është se KESH e bleu energjinë më shtrenjtë kur dihej se do kishte reshje dhe e shet shumë më lirë se në bursë në këto momente. Dështoi projekti i satelitit që u paguan 1.5 mln euro për të parashikuar me saktësi motin. Është e qartë se kjo situatë rrezikon të përkeqësohet me masat e improvizuara, reshje të tjera priten dhe është e domosdoshme shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të shpallet menjëherë, pasi kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore të shkaktuar nga keqmenaxhimi i kaskadave nga shteti, i cili duhet të dëmshpërblejë qytetarët”, tha Meta.