Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i domosdoshëm korrigjimi i gabimit të shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sa i përket takimit të së hënës në Bruksel, ndërmjet tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka thënë se Borrelli bëri gabim duke e braktisur bisedën për korrigjim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, e duke u munduar të gjendet vetëm një zgjidhje për targat.
“Nuk është koha të flasim për shtyrje të tjera. Ne jemi optimist dhe besoj që korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm. Është gabim i madh që të braktiset biseda për korrigjim të marrëdhënieve e liderët të flasin e dakordohen për targa, për të cilat dorën në zemër as unë në Kosovë e as ai në Beograd nuk jemi personat përgjegjës”, ka thënë Kurti për gazetarë gjatë një vizite të martën në Prizren.
Kurti po ashtu ka thënë se nuk mjafton dakordimi vetëm për targat, derisa ka shtuar se gjatë takimit të së hënës, ai ishte dakord që gjobitja lidhur me targat të pezullohej në kërkim të një zgjidhjeje për normalizim të plotë të marrëdhënieve.
“Që prej se përfundoi takimi i fundit në kuadër të bisedimeve tetë orëshe që kemi pasur dje unë nuk kam komunikuar më Josep Borrell i cili me keqardhje ritheksoj e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e BE-ë duke thënë le ta kemi një dakordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat ndonëse aty unë ka, qen më dakord që faza e dytë të pezullohet në kërkim të një zgjidhjeje sa i përket normalizimit të plotë të marrëdhënieve deri në marsin e vitit 2023. Pra ti japim shans pa gjoba marrëveshjes por jo vetëm për targa e ta flakim tutje çështjen e bisedimeve për marrëveshje përfundimtare. Në anën tjetër Serbia është zotuar që nuk do të lëshojë më aso targa të kohës së Millosheviqit”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se është optimist për një zgjidhje sa i përket targave brenda 48 orëve, duke theksuar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier po i bën përpjekjet maksimale duke biseduar me Brukselin.
“Tash SHBA-së i duhen edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohen në dakordim sot ose nesër. Po i bëjnë përpjekjet maksimale. Nuk mendoj se jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel duke mos u kufizuar për punët si puna e targave.