Është identifikuar 30-vjeçari shqiptar i cili përplasi me makinë pak ditë më parë studenten 21-vjeçare në Greqi dhe më pas u largua nga vendngjarja.
Mediat greke raportojnë se i riu shqiptar ishte hetuar më parë nga policia për trafik lëndësh narkotike.
Në momentin e aksidentit, ai ka qenë në makinë me një vajzë, ndërsa më pas e ka braktisur mjetin e tij.
Sakaq, policia mbetet në kërkim të tij, ndërsa studentja greke është në luftë me jetën pas plagëve të rënda që mori.
Ajo ndodhet e shtruar në gjendje shumë kritike dhe e intubuar në Repartin e Mjekimit Intensiv të spitalit Papageorgiou në Selanik. Që në momentin e parë që ekipet e shpëtimit të EKAV-ut kanë mbërritur në vendngjarje kanë bërë përpjekje për ta mbajtur në jetë, ndërsa pas mbërritjes në spital ajo iu nënshtrua një sërë operacionesh ndër të tjera në kokë ku ka lëndime të rënda.
Ndërkohë, dyshohet se ngjarja u krye qëllimisht dhe besohet se autori mund të ketë pasur njohje të mëhershme me 21-vjeçaren.