Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ka folur për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK dhe aludimet për manipulimin e këtij procesi pas deklaratës së ambasadores Yuri Kim.
I ftuar në emisionin ‘Open’, Hajdari tha se ambasadorja me këtë deklaratë tregoi që një nga arsyet e bërjes së kësaj reforme ka qenë që ai që është në krye të një institucioni të drejtësisë të mos ia dijë për nder dikujt në politikë.
Sipas ish-prokurorit, deklarata e Kim është shqetësuese dhe se nëse ka prokurorë me integritet, si opozita ashtu edhe qeverisja nuk kanë në dorë aspak karrierën e tyre.
“Ambasadorja me këtë deklaratë tregon që një nga arsyet e bërjes së kësaj reforme ka qenë që ai që është në krye të një institucioni të drejtësisë të mos ia dijë për nder dikujt në politikë. Kjo është e vjetra, dikur ia dinin për nder dikujt kur merrte role në drejtësi, pra duhet hequr dorë nga metodat e vjetra.
Nëse ka prokurorë me integritet si opozita dhe qeverisja nuk ka në dorë aspak karrierën e tyre dhe nuk i prek fare. A ka arritur pjekuria e institucioneve tona të shohin karrierat e njerëzve që i promovojnë, kjo mbetet për tu parë. A është shqetësuese deklarata e ambasadores, patjetër që po. Është barrë e rëndë e 11 anëtarëve të bëjë një proces transparent, pavarësisht kërcënimeve me të cilat përballet çdo prokuror”, tha Hajdari.