Porti i Ri Turistik i Durrësit do të jetë investimi më i madh i huaj në rajon, deklaroi kryeministri Rama gjatë debateve në Kuvend, ndërsa shtoi se ky investim do ta kthejë Durrësin në një portë të bukur të Mesdheut turistik dhe do t’i japë Shqipërisë një hov të madh drejt majës së vendit kampion të turizmit në Ballkan.
“Unë i jam zotuar durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve se ne do hapim 4 porta nga qielli dhe 4 nga deti, për ta kthyer Shqipërinë e 2030-s, nga një vend ku deri para disa vitesh turizmi mbahej vetëm me frymën patriotike të Kosovës motër, në një vend kampion të Ballkanit në turizëm dhe e ka marrë rrugën edhe për këtë zotim. Porta kryesore natyrale nga deti për ta ngjitur Shqipërinë në atë në atë majë është Durrësi, ndërsa vendi natyral për ta hapur atë portë është zemra e Durrësit ku s’mund të vazhdojë të tregtohet krom në natyrë dhe as të ngarkojnë, shkarkojnë anijet e mallrave apo të pozojnë përballë turistëve si gjirafat e ndonjë filmi post apokaliptik vinçat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Prandaj pikërisht aty duhet dhe pikërisht aty do të transplantohet edhe një zemër e re për Durrësin turistik, ku do përdoren vetëm gjysma e 800 mijë metrave katrorë në dispozicion ndërkohë që gjysma tjetër, ajo që patë do të jetë hapësirë publike e transformuar rrënjësisht përfshirë dhe 700 metra plazh që sot as nuk ekziston fare. Sot 17% e territorit ku do të marrë jetë porti i ri turistik është tokë e ndotur, e pashfrytëzuar”.
Kryeministri Rama sqaroi edhe akuzën se shteti shqiptar nuk do të përfitojë asgjë nga projekti i Portit dhe se taksa e infrastrukturës është falur.
“Po jo more, asgjë nuk është falur, janë plot 1.069 miliardë euro që shteti shqiptar do të përfitojë nga TVSH-ja, nga tatim-fitimi dhe nga kontribute të tjera. Ndërsa taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk falet, por është kontribut i ortakut-shtet i cili zotëron 33 % të aksioneve, dhe ky 33% nuk ndryshon në asnjë moment ndërkohë që ky ortaku-shtet i futur në këtë investim nga ne tradhtarët, për të qenë i pranishëm aty në emër të të gjithë taksapaguesve shqiptarë, ka VETO për të miratuar buxhetin në dispozicion të këtij projekti si dhe të borxhit dhe të çdo vendimmarrje me rëndësi. Ndërkohë që kompania “Eagle Hills” është e regjistruar në Abu Dhabi, me përfitues fundor të ditur, të bërë publik në komisionet e Kuvendit, madje dhe garantët konfidencialë që më thanë se kishin rrjedhur diku në kanalet dixhitale, janë në Abu Dhabi”.
Kreu i qeverisë e mbylli fjalën e tij se asnjë akuzë e opozitës nuk do të pengojë projektet e qeverisë.
“Shqipëria e 2030-s do t’i ketë ato që i pret qysh prej 1912, në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin, 4 porte të klasit të parë. I vetmi që nuk është në avancim është Shëngjini, Vlora dhe Saranda jajën në ndërtim. Do të ketë dy porte tregtare, në Vlorë dhe në Porto Romano. Me 2 porte të thata. Nuk keni asnjë shans të na pengoni dot”.
Projekti i Portit, PD: Aferë korruptive
Kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi projektin e portit të Durrësit një aferë korruptive.
Vjedhje masive e pasurive tuaja. 54 minuta nga koha juaj për 2.1 miliardë për xhepin e tij. Të kuptojmë qartë se ç’po ndodh. Pse nuk ka garë. Pse nuk ka garë? Ky Alabaari i famshëm i cili paska marrë gamilet e veta nga Lindja e Mesme plot me verdhushka pse nuk ka garë. Porti i Durrësit është mall i pazotë. Kur nuk ke gjak e djersë për të mirën tënde e shet, e fal, e shpërdoron, është prona e gjithë shqiptarëve.
Si ka mundësi që ky investitori që mund të jetë një emër i nderuar, se nuk e di, si ka mundësi i vetmi investitor strategjik nga 34 që keni dhënë deri tani, nuk ia keni mbuluar me ligj klientelizmin dhe tutelën që po i bëni që po jepni pasuritë e shqiptarëve. Këtij i dhënkemi dhe një mbulesë ligjore. Arsyeja e thjeshtë. Të shpërndajë përgjegjësinë penale dhe me ju të tjerët, me të gjithë ata që do ta votojnë këtë ligj. Se ndryshe nuk ka si të shpjegohet. na vjen një investitor me qilim fluturës me 80 mln euro për 818 mijë metra katrorë. E ndërkohë sa fitojmë ne, sa fitojnë shqiptarët, në rastin më të mirë 280 mln euro, është një pasur e vlerësuar sot 780 mln. Pas 20 vitesh jallah po të marrim 280 mln euro. Kjo është të përdorësh portin e Durrësit, Shqipërinë si mall pa zot. Dhe vjen këtu me pathosin e madh patriotik me bejte të dikurshme duke shitur këtu aktin e madh që po bën për të mirën e Shqipërisë, për ta zhvilluar. Siç bëri me inceneratorët, plehrat ishin, plehrat janë. Ca njerëz do duhen t’i nënshtrohen drejtësisë. Thirrja ime është për ju, deputetë të maxhorancës, që thjesht merrni kartonin për të votuar, kujdes, jo vetëm fajësimi publik, turpi moral, por edhe përgjegjësia penale do bjerë mbi ju, nëse nuk votoni në interes të zgjedhësve tuaj dhe pasurisë publike. Garë moj garë!”
Alibeaj: Alabbar do investojë 160 mld euro, ku do i gjejmë 1.9 mld eurot e tjera?
“Ky investitori i madh kishte një vit e ca që lutej e përgjërohej, ky njeriu vjen dhe sjell vetëm 160 mln, 80 i ka në xhepin e djathtë, 80 të tjera do i marrë kredi. Kaq asnjë më shumë. Po 1.9 mld euro sa është parashikuar investimi, ku do dalin, kush do i sjellë, kush i ka. Asnjë nuk thuhet në marrëveshje. Pyes ministren e Transportit, zero përgjigje. Do të vijnë nga burime të treta, cilat janë këto? A mos janë këto burime të treta, burime që kanë ndërtuar gradaçelat në Tiranë. A mos janë këto mjeti për të infiltruar dhe penetruar në Shqipëri që është e shkallmuar nga të gjitha anët paratë e krimit. Alternativë tjetër nuk ka, kjo ngelet. 1.9 mld euro të projektuara për t’u hedhur në Durrës, do të vijnë nga paraja e krimit, se nuk kanë nga të vijnë. Si mund t’i gëzohesh që në këtë vend po vjen paraja e krimit, ndërkohë që bashkë me të është shkatërrimi i ekonomisë, i shtetit, rrëzimi i BE-së. Humbasim pasurinë publike, na e shet pasurinë publike, e hedh Shqipërinë në honet më të errëta të botës së Perëndimit”.
Me çfarë parash do të transferohet porti tregtar në Porto Romano, pyeti Alibeaj
“Sa para keni parashikuar për ta transferuar portin e vjetër të Durrësit. Ngrenë supet. Kemi bërë një projekt në letra nga një kompani holandeze ka marrë 10 mln euro. Dhe sipas atyre që dinë nga kjo punë. Vetëm buxheti që duhet për ta zhvendosur atë port të mbaruar duhen jo më pak se 1 mld. Kush i paguan këto? Përse mos t’i paguajë ky Aladini me qilim fluturues, i pasur është, portin po e merr. Do të ndërtojë pallate pa fund të Durrës. Kjo është dashamirësia për Shqipërinë, ndryshe është një aferë e pastër hajdutëri që kërkon të mbulohet me atë patosin patrotik erdhi ky. Ka gjetur njerëz të cilët votojnë nën frikë nën terror”.
Ministrja e Financave: Për herë të parë qeveria aksionere, hapim 12 mijë vende pune
Gjatë prezantimit marrëveshjes së Portit të Durrësit në Kuvend ministrja deklaroi se për herë të parë shteti është aksioner në një investim të tillë dhe se ka të drejtën e vetos për çështje shumë të rëndësishme. Nga Porti pritet të hapen 12 mijë vende pune.
“Ky projekt nuk është vetëm projekti më i madh në Shqipëri, por është projekti më i madh në rajon. Ai ka një vlerë investimi të konsiderueshme prej 2.1 miliardë Euro.
Nëpërmjet këtij projekti synohet të krijohen 12,000 vende pune, dhe këtu po flas për ndikimin direkt të projektit. Pra, fillimisht në ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj zone, më pas me menaxhimin e veprimtarisë ekonomike të bizneseve, përkatësisht punësimin në hotele, në restorante, në biznese apo njësi shërbimesh. Ne synojmë që nëpërmjet këtij projekti të rivitalizojmë zonën.
Ne kemi negociuar për 1 vit dhe në përfundim: nga 33 kërkesa të investitorit, kemi pranuar vetëm 5 prej tyre. Kjo negociatë nisi me një kërkesë të investitorit, ku shteti të ishte aksioner me 19%, dhe u mbyll me një kontratë që ju paraqitet sot ku shteti do të jetë aksioner me 33% të aksioneve. Është e rëndësishme të theksohet që aksionet nuk do të ndryshojnë në asnjë moment. Po e përsëris, në asnjë moment!
Pasi ne kemi të drejtën e VETO-s për çdo vendimmarrje të rëndësishme, për miratimin e buxhetit, përsa i përket marrjes së huave, masterplanit dhe çdo vendimmarrje tjetër të rëndësishme që do të cënonte pjesëmarrjen e shtetit në këtë investim kaq të rëndësishëm.
Nga punimet fillestare nuk preket aspak aktiviteti portual aktual. Faza e dytë e zhvillimit të Portit turistik dhe ballinës ujore do të nisë vetëm kur të jenë ndërtuar terminalet e reja të Portit tregtar të Durrësit në Porto Romano. Në fazën e parë do të funksionojë porti i Durrësit si port tregtar dhe në vijimësi modernizohet, investohet dhe nisë të funksionojë si një port i specializuar për pasagjerët dhe jahtet, dhe jo vetëm kaq, por si port që mund t’u ofrojë shërbime këtyre anijeve në mënyrë që ato të qëndrojnë më gjatë dhe të gjenerojnë më shumë të ardhura për shtetin dhe për operatorët e shërbimeve portuale”, deklaroi Ibrahimaj./Monitor