Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë në Valencia për trafik droge dhe kultivim të kanabisit.
Mediat spanjolle raportojnë se mes të arrestuarve janë dhe 2 shqiptarë, 63 dhe 37-vjeç, të cilët ndodhen në paraburgim për veprën e kultivimit dhe prodhimit të drogës.
Në kontrollet e kryera janë sekuestruar mbi 700 kilogramë sytha marijuanë, 1780 bimë marjuanë, 50 gramë kokainë dhe mbi 2100 euro cash.
Operacioni i koduar ‘PYLL’ filloi në gusht pas dyshimeve për një kultivim në shkallë të gjerë të bimëve të kanabisit në komunën e Moixent, ndërsa pas hetimeve të shumta, u bë e mundur gjetja e të plantacioneve në një zonë shumë të vështirë për t’u aksesuar, me një pjerrësi të madhe dhe pa rrugë apo shtigje pyjore pranë.
2 të arrestuarit në këtë operacion ishin nën kujdesin e plantacionit, ku banonin në një kamp të improvizuar në afërsi të sipërfaqes ku kultivohej kanabisi.
Në vendngjarje autoritet gjetën disa kasolle të punuara me shkopinj druri dhe mbulesa plastike jeshile, me qëllimin e vetëm për të qëndruar aty pa u vënë re. Në këto kasolle ndodheshin të gjitha llojet e mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme për kultivim.