Ngarkesa me kokainë që u zbulua në Fier ka ardhur nga Kolumbia dhe përpunohej në magazinën në Fier ku dhe u gjet.
Mësohet se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), DEA dhe policia e Malit të Zi e mbanin prej tre muajsh nën hetim 15 personat që janë vënë sot në pranga, 4 prej të cilëve në Tiranë.
Sakaq droga dyshohet se ka ardhur nga Kolumbia. Në magazinë është gjetur një sasi prej 400 kg, kokainë e fshehur në thasë me pleh kimik si dhe armë zjarri. Më konkretisht janë sekuestruar dy kallashnikovë, një shotgun dhe një çifte.
Burime bëjnë me dije se sasia e drogës ka mbërritur në portin e Tivarit, prej ku është transportuar në Fier.