Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmin që iu bë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nga disa përfaqësues të PDK-së, pas dakordësisë së marrëveshjes së targave me Serbinë.
Me anë të një postimi në rrjete, Rama i ka dalë në krah Kurtit duke u shprehur se sulmi ndaj tij është njësoj si t’i kërkosh hesap pse nuk mendon e flet njësoj si kur ishte në burg.
“S’jam aspak dakord me sulmet ndaj Albin Kurtit pas marrëveshjes së duhur që fatmirësisht mbylli shtegun e rihapur të zhvillimeve të paparashikueshme! Ta sulmosh Albinin pse u soll si kryeministër është njësoj si t’i kërkosh hesap pse nuk mendon e flet njësoj si kur ishte në burg”, shkruan Rama.
Kujtojmë se një ditë më parë Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në Bruksel, për t’i dhënë fund konfliktit për targat. Sot Kosova do të niste zbatimin e gjobave dhe Brukseli me SHBA i trembeshin tensioneve. Pas shumë negociatash, Kosova u tërhoq duke arritur një emërues të përbashkët me Serbinë. Kurti është sulmuar nga opozita e Kosovës, por Rama në reagimin e tij duket se mbështet këtë marrëveshje.