24-vjeçar shqiptar Robert Sulollaraj është dënuar me tre vite burg në Skoci, pasi është shpallur fajtor për akuzën e trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Siç raportojnë mediet vendase i riu shqiptar është kapur duke trafikuar kanabis me vlerë 100 mijë paund në Skoci. Robert Sulollaraj, 24 vjeç, po udhëtonte nga Newcastle në Glasgow kur policia ndaloi makinën tip Volkswagen të të riut.
Sakaq kur policia ndaloi mjetin e shqiptarit kuptuan se në të kishte lëndë narkotike, pasi mjeti kundërmonte aromë kanabisi. Nga kontrolli i policisë në mjet, u gjet një çantë me 9.7 kg drogë të klasit B, e cila sipas ekspertëve ka një vlerë tregu prej afro 97,000 £.
Gjithashtu policia i sekuestroi shqiptarit dy celulare dhe një leje drejtimi të falsifikuar. Në celularin e shqiptar u gjetën mesazhet që lidhnin Robertin me trafikimin e drogës.
Sakaq i riu ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ishte në dijeni të kanabisit në mjetin e tij.
Ai ka pretenduar se kishte udhëtuar në Skoci me kushëririn e tij 25-vjeçar për të blerë makinë dhe nuk kishte vënë re asnjë erë në automjet.
Ai u shpall fajtor edhe për falsifikimin e patentës.
“Kur u kontrollua makina, dëgjova oficerin e policisë duke thënë ‘bingo’. Nuk e besova sepse nuk dija për drogën. Kisha tymosur kanabis, por nuk e dija se kishte kanabis në makinë dhe nuk ndjeja erë asgjë përpara se policia të më thoshte se ishte aty”, ka thënë ai.