Në një intervistë për programin “Rudina” në Tv Klan, Ardit Gjebrea ka dhënë disa detaje lidhur me “Kënga Magjike”. Ai ka thënë ndër të tjera se nata e parë nisi në mënyrë të shkëlqyer por jo vetëm kaq.
“Më lejo të të them që historikisht “Kënga Magjike” ka patur një fenomen që nata e parë ka nisur shkëlqyeshëm, e dyta ndoshta na kanë rënë pak bateritë dhe e kemi marrë veten tek e treta. Ndërsa këtë vit ka ndodhur ndryshe. Nata e dytë mund të them që ka energji shumë më të mira se e para dhe kur thuhet “feel the energy”, na janë mbushur zemrat me energjinë e të gjithëve nga backstage, nga spektatorët, nga telespektatorët, nga artistët na kanë dhënë një aureolë të jashtëzakonshme energjie që ne e kemi transmetuar, e ndiejmë dhe po shumëfishohet. Jam i sigurt që nata e tretë dhe nata e katërt pastaj që do jetë dhe nata finale të shtunën do të jenë risi”, tha ai.
Gjithashtu, Arditi u ndal edhe tek vështirësitë e artistëve të huaj në festival. Ai vlerësoi gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në festival.
“Nesër mbrëma artistët internacionalë do të prezantojnë së bashku me ne artistët shqiptarë dhe në fund do të ketë një surprizë prej tyre, kanë kënduar shqip në mënyrën më fantastike të mundshme”, përfundoi ai.