Futbolli është dhe çështje fati, fati këtë herë i buzëqeshi Richarlison i cili rrezikoi shumë të mos ishte në Botëror si pasojë e një dëmtimi, por zbret në Katar si titullar dhe realizon një “dopjetë” fantastike:
“Është një ëndërr që bëhet realitet. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, mbi të gjitha në pjesën e dytë, ku rivalët u lodhën dhe ne arritëm të përfitonim”, u shpreh sulmuesi i Tottenham duke shtuar: “Jemi të lumtur dhe besimplotë. Katër javë më parë isha duke qarë. Dita e testeve mjekësore ishte dita më e gjatë e jetës time, prisja që të dilnin përgjigjet, por koha nuk kalonte. Jam lodhur shumë për të rikuperuar në kohë, por ja vlejti”, u shpreh Richarlison i cili realizoi për herë të parë në Botëror.
Një paraqitje fantastike dhuroi edhe ylli i Real Madrid, Vinicius Jr, i cili kishte një rol përcaktues në të dy golat: “Jam shumë i lumtur për debutimin tim dhe për fitoren, e nisëm këtë Botëror me këmbën e duhur. Kam pritur 22 vite për të arritur deri këtu, shumë ëndrra, shumë punë. Jam shumë i lumtur që mund të ndihmoj skuadrën. Tani na presin edhe 6 finale”, u shpreh Vinicius Jr.