Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi përmes një postimi në Facebook, ka bërë me dije se në buxhetin e vitit 2023 që u miratua mbrëmë në Kuvend, garantohet me15% rritja e pagës për pjesën më të madhe të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Çuçi theksoi se ky buxhet parashikon 7.6 herë më shumë investime në teknologji për të rritur sigurinë e sistemeve tona dixhitale e për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.
“Në tërësi për Policinë e Shtetit investimet në vitin 2023 janë 56% më shumë se viti 2022”, shtoi Çuçi.
Çuçi nënvizoi se, në buxhet parashikohen 547 milionë lekë investime në teknologji për vitin 2023 nga 72 milionë lekë që ishin në vitin 2022.
“Në vitin 2022 investimet në Policinë e Shtetit ishin 743 milionë lekë, në vitin 2023 shkojnë në 1.2 miliard lekë”, theksoi më tej Çuçi.