Kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi në konferencën e përjavshme me gazetaret, qëndrimin e Komisionit Europian pro protestës së 6 dhjetorit.
Berisha tha se e përshëndet këtë deklaratë të përfaqësuesve të Bashkimit Europian.
“Siç keni ndjerë dhe konstatuar, protesta e 6 dhjetorit ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm në Shqipëri, emigracion, diasporë dhe kudo.
Por, para se të adresoj thirrjen time, kam një falënderim të përzemërt për Komisionin Europian, përfaqësinë e tij, me deklaratën e djeshme, u dëshmuan shqiptarëve se ata vijnë këtu për mbështetjen e popullit shqiptar, vijnë këtu për mbështetjen e demokracisë në Shqipëri dhe natyrisht vijnë këtu, kanë përzgjedhur Tiranën edhe për qëllimet e tyre gjeostrategjike.
Thirrja dhe kërkesa që liritë e të drejtat e qytetarëve të respektohen, ishte përgjigjja më e shkëlqyer që morën Edi Rama dhe tellallët e tij, të cilët në reagimin e tyre të tmerruar nga protesta, të krijonin përshtypjen se në këtë vend, se në Tiranë nuk po mblidhen kryeministra dhe presidentë të vendeve të lira, të zgjedhur me votën e lirë, por po mblidheshin diktatorët e të gjithë botës.
Kjo mori përgjigjen përfundimtare me deklaratën e tyre,” tha Berisha.
“Sikundër, garantoj dhe siguroj se PD vendosmërisht, përcaktohet për një tubim, i cili ka synim më madhor paraqitjen më dinjitoze dhe civile dhe ka në konsideratë të plotë garancinë e sigurisë së miqve që vijnë, respektin e hekurt dhe rigoroz të rregullave të mirëpritjes shqiptare,” theksoi Berisha.