Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë vizitës së saj në Prishtinë ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me homologen e saj në Kosovë, Donika Gërvalla ku kanë folur mbi zhvillimet e fundit dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Gjatë fjalës së saj në konferencë, Xhaçka përgëzoi qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e arritur dy ditë më parë sa i takon çështjes së targave me Serbinë. Ndërsa shtoi se çështja më e rëndësishme për të cilën ishte angazhuar edhe Shqipëria, është ajo e njohjes reciproke e Kosovës dhe Serbisë.
“Shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit. Është bërë shumë progres por, ka ende shumë punë për të bërë. Një vëmendje e veçantë do t’u jepet edhe bashkëkombasve tanë në Luginën e Preshevës. Çështja më e rëndësishme është mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritja e marrëveshjes që sjell njohjen reciproke të dy vendeve. Arritja e kësaj marrëveshje është një domosdoshmëri, ndërsa unë dua të përgëzoj qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes me Serbinë sa i takon çështjes së targave. Ne e mbështesim të drejtën legjitime të Kosovës dhe e mirëpresim synimin e Kosovës për t’u përfshirë në partneritetin për Paqe. Ne mbështesim aspiratat e Kosovës për integrim Euroatlantik, duke qenë pro-aktivë për forcimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën Atlantike, mbështesim të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për transformimin gradual të Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur”, u shpreh ministrja e Jashmte.
Ndërsa më tej, Xhaçka bëri thirrje që Asambleja Parlamentar e Këshillit të Evropës duhet të vinte drejtësi sa i takon raportit të Dick Marty-t kundër liderve të UÇK-së. Ajo tha se akuzat ndaj tyre nuk u provuan nga hetimet e bëra. Gjithashtu deklaroi se UNMIK duhet të reduktonte ndjeshëm aktivitetin në Kosovë duke theksuar se Kosova nuk është më një çështje që duhet medoemos të përfshihet në punën e Këshillit të Evropës.
“Do të ishte në nderin e asamblesë parlamentare që të vërë në vend këtë drejtësi ku nuk u provua dhe nuk u përfshi në asnjë rresht trafikimi i organeve. Kosova nuk është më një çështje që duhet të përfshihet në punën e Këshillit. Aktiviteti i UNMIK duhet të reduktohet ndjeshëm deri në 1 herë në vit. Shqipëria e ka Kosovën në zemër dhe në mendje për çdo gjë që bën. Në çdo vizite apo çdo qëndrimi që Shqipëria mban në një çështje të caktuar, pyetja që shtrohet është sa e ndihmon kjo Kosovën”, tha Xhaçka.
Ministrja shtoi se po punohej për përfundimin e projekteve të përbashkëta për Konsullatat në Strugë dhe Ulqin, ndërsa e cilësoi ‘absurde’ vonesën që po i bëhej Kosovës për liberalizimin e vizave me BE-në.