Denilson Çervanaku, djali i ish-kryetarit të Komunës së Frakullit në Fier, Viktor Çervanaku që u arrestua për përfshirje në laboratorin e kokainës ka qenë futbollist.
Mësohet se 25-vjeçari ka luajtur me ekipin e Dinamos dhe Olimpikut. Ai i është futur futbollit në vitin 2013 dhe e ka mbyllur në vitin 2017.
Për pesë vite rresht, ka arritur të shënojë vetëm dy gola. Denilson Çervanaku u arrestua bashkë me të fejuarën e tij, Enxhi Ferhati.
Si u zbulua laboratori i kokainës në Frakull të Fierit?
Fillimisht lajmi u dha në mediat malajzeze pas njoftimit se në Portin e Tivarit ishte kapur një sasi kokaine. Më pas u bë me dije se ky ishte një mega-operacion i koordinuar mes DEA amerikane, SPAK dhe Policia malajzeze që pas 3 muajsh hetime zbuluan laboratorin e drogës në Fier.
Laboratori është zbuluar në banesën e ish-kryeplakut të fshatit Frakull, Viktor Çervanaku, i cili jeton në Tiranë.
Në pranga janë vënë: Zenel Cervanaku, i cili është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi.
Sakaq, në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.