Rritja dramatike e çmimeve po i bën njerëzit në Gjermani që të ndryshojnë zakonet e tyre të të shpenzuarit, bën të ditur një sondazh i realizuar nga kompania e kërkimit të tregut ‘NielsenIQ’.
Mbi gjysma e konsumatorëve, rreth 52%, blejnë vetëm produkte që ata me të vërtetë kanë nevojë, bazuar në sondazhin e realizuar me më shumë se 10,000 qytetarë. Rreth 44% thanë se po ia dalin pa produkte “që janë artikuj argëtues ose luksi”, 31% po përpiqeshin të reduktonin vizitat në restorante dhe të hanë në shtëpi në vend të kësaj. Rreth 30% e të anketuarve u pajtuan me deklaratën: “Unë blej më pak”.
“Njerëzit po përdorin gjithashtu shumë strategji të tjera kursimi. Ata krahasojnë çmimet më shumë, i kushtojnë më shumë vëmendje ofertave speciale, kalojnë në produkte më të lira, siç janë produktet me etiketa personale ose blejnë produkte me zbritje më shpesh”, tha eksperti i ‘NielsenIQ’, Lothar Staiblin.
Shumë konsumatorë po ndryshojnë gjithashtu zakonet e tyre të konsumit, për shembull duke zëvendësuar gjalpin me margarinë dhe ujin mineral me ujë rubineti. Sipas anketës, vetëm rreth 10% nuk janë aspak të shqetësuar në lidhje me inflacionin, kryesisht ata me të ardhura të larta./rel