Nga Klara Dervishi
Java e kaluar dhe mjaft intensive për të gjetur një zgjidhje të re për një konflikt të vjetër u finalizua me një zgjidhje për çështjen e targave që megjithatë nuk ishte një zgjidhje përfundimtare. Por mënyra se si veproi pala kosovare dhe kryeministri Kurti nxorri ndoshta në pah faktin që brenda BE disa vende vijojnë të jenë në anën e gabuar të historisë, pra me Serbinë. Deklarata e kryenegociatorit se Koosva bllokoi marrëveshjen edhe pas 8 orë bisedimesh të hënën e kaluar dhe arritja e një dakordësie me ndërmjetësimin e SHBA duket se e ka lënë qartë të kuptohet se zgjidhja vjen vetëm nga Uashingtoni. Reagimet e drejtuesve të shtetit kosovar në fillim të presidentes Osmani dhe më pas kërkesa e Kurtit që Borell të tërheqë deklaratën e tij, treguan qartë një lloj ngërçi që ekziston dhe ku duket që BE është qartazi më së pakti e pavendosur për një zgjidhje dhe më së shumti në krahun e Vuçiç.
Priza.al ka biseduar këtë herë me autorin e disa librave për çështje të rajonit, profesorin Enver Bytyçi në lidhje me negociatat për targat dhe mënyrën si Europa dhe SHBA po pozicionohen në këtë konflikt apo dhe mënyrën se si kryministri shqiptar Edi Rama është në me presidentin serb dhe planet e tij për shkëmbim territoresh me Kosovën.
- Një Veri që vijon të jetë vatër konflikti. As 8 orë bisedime edhe pse ishte bërë e qartë më parë që mund të kishte një marrëveshje, nuk u finalizua me një dakordësi midis Kosovës dhe Serbisë për të afruar qëndrimet për vendimin e kryeministrit Kurti për targat.
Bisedimet e para një jave në Bruksel sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje për targat serbe që përdorin ky komunitet në veri të Mitrovicës dështuan. Dështuan edhe pse ato zgjatën tetë orë. Por dy ditë më vonë u arrit marrëveshja mes palëve, pasi kryeministri i Kosovës u mirëkuptua me Ambasadorin amerikan në Kosovë, zotin Hovenier. Çështja u zgjidh. Por tensionet ende janë të pranishme. Përfaqësuesit e pushtetit lokal në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Mitrovicës janë jashtë institucioneve. Po ashtu zyrtarët e policisë, prokurorisë, gjykatave etj që vijnë nga minoriteti serb. Sa për deputetët, ata u zevendësuan dhe kandidatët vijues bënë betimin në parlamentin e Kosovës.
Për momentin duket sikur gjithçka po shkon në normalitet. Por shoh se kemi të bëjmë me një iluzion. Beogradi do të provokojë deri ditën e fundit destabilitet në Veri të vendit. Nëse vemë re, liderët serbë ankohen vetëm për atë që e quajnë „serbë të kërcënuar nga qeveria Kurti në katër komunat e veriut”! Sikur serbët në jug të Ibrit nuk janë të të njëjtit nacionalitet! Qëllimi është veriu. Ndarja e Kosovës. Nuk kanë hequr dorë nga ky synim. Përkundrazi, sa më shumë afrohet zgjidhja, aq më shumë rritet presioni për ta çuar zgjidhjen te opsioni i shkëmbimit të territoreve!
- Dhe e ka trazuar edhe më shumë situatën deklarata e Borell se Kosova ka refuzuar marrëveshjen ose alternativat për marrëveshje. Nuk ka ndodhur kurrë që BE në funf të takimit të jetë kaq e drejtpërdrejtë me ose pa të drejtë e të tregoj me gisht kush bllokon dhe kjo nuk ka ndodhur as kur pengesë ka qënë Serbia në takime të tjera.
E thoshte një studiues gjerman se Borrell përkëdheli ministrin e Milosheviçit dhe ndëshkoi të burgosurin e Milosheviçit. Ministri është Vuçiq dhe i burgosuri Albin Kurti. Ajo që bëri Joseph Borrell në fund të takimit, duke fajësuar kryeministrin e Kosovës për dështimin e bisedimeve tetë orëshe, e kthen moralin e vlerave europiane përmbys! D.m.th përfaqësuesi i një kontinenti të bashkuar në vlerat e barazisë, drejtësisë dhe lirisë, merr në mbrojtje një kriminel lufte dhe linçon një viktimë të atij krimineli lufte!
Nuk ka ndodhur kaq hapur, edhe pse ne e dimë se në Europë e në SHBA ka diplomatëz që nuk bazohen e nuk i referohen parimeve të lirisë e të drejtësisë. Por mbi të gjitha Joseph Borrell e humbi ekuilibrin si ndërmjetës në bisedime. Nga njëra anë thonë se ne respektojmë palët dhe janë ato, pra palët në bisedime që vendosin. Nga ana tjetër bëjnë fajtor madje në public njërën palë, për më tepër palën e dhunuar, masakruar dhe të dëmtuar! Ngrejnë lart agresorin dhe palën humbëse, Serbinë e Milosheviçit e të ministrave të tij.
Nuk e di nëse është produktive, por besoj se pas kësaj duhet marrë në konsideratë kërkesa për ta larguar nga ndërmjetësimi kryediplomatin e BE-së! Duhet kërkuar që në krye të bisedimeve të vihet vetë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Nga ajo çfarë ndodhi në takimin e datës 21 nëntor në Bruksel, kjo e drejtë e palës së Kosovës është plotësisht e justifikuar!
- Takimi zoti Bytyçi është pasuar nga akuza nga presidentja Kosovare e cila ka thënë se Borell është treguar i njëanshëm, Kurti kërkoi korrigjim të deklaratës gjë që nuk ndodhi. BE e ka këtë problem me Kurtin apo vërtet kryeministri Kosovar po ndjek një taktikë të gabuar!
Unë besoj se BE nuk ka asgjë me kryeministrin Kurti. Por BE po ndjek një politikë mirëkuptimi me Serbinë, sepse aplikon parimin e të qenit me më të fortin, me më të zhurmëshmin. Sa i përket Kosovës në Europë thonë se “ajo na e ka nevojën, nuk ka ku shkon, do bëjë ato që i themi ne”! Dhe në fakt nuk kanë faj. Thaçi dhe Mustafa ua dhanë këtë kredit, që të bënin gjithçka çfarë thonin në Bruksel. Madje edhe kur i gënjenin, si për vizat përshembull. U thanë miratojeni kufirin me Malin e Zi dhe ne do të liberalizojmë vizat. Kanë kaluar shtatë vite e nuk duket të bëhet realitet kjo ëndërr për qytetarët e Kosovës.
Thaçi dhe Isa Mustafa ishin “yesmenë”. Pse të mos i bënin presion edhe Kurtit të bëhej si ata?! Sepse me paraardhësit e Kurtit shkoi gjithçka për mrekulli. Frederica Mogherini ishte në ekstazë nga dakortësia e ish-presidentit të Kosovës për ndarjen e territorit të saj me Serbinë e Shqipërinë. Presioni ndaj Kurtit synon që ta zbusë atë deri në fortësinë e plastelinës. Kështu funksionon diplomacia e Fuqive të Mëdha. Nëse nuk bën çfarë thotë p.sh Borrell, edhe pse përfaqësues i një vendi që nuk e njeh Kosovën, atëherë fillon kërbaçi.
Qëllimi është të joshin Serbinë. Dhe kjo joshje nuk dihet se ku ndalon. Jam i bindur se në Beograd janë bërë plane që bashkësia europiane ta kontestojë edhe statusin e Kosovës e të rinisë një process i ri për këtë, që përfundon me ndarjen e territorit. Këto plane i njeh edhe Edi Rama dhe mendoj se bashkëpunon me presidentin serb për realizimin e tyre.
- 4. Dhe ndërkohë Kurti e pranoi kërkesën e SHBA për pezullim të zbatimit të vendimit për targat. Sjell dicka positive vetëm 48 orë dhe a është normale të harxhohet kaq shumë kohë dhe energji për një temë të tillë kur nuk kemi ende njohje edhe pse kjo mund të nënkuptoj De Fakto njohje ?
Lufta për targat ishte dhe mbetet simbolikë e luftës për sovranitet në Veri të Kosovës. Sepse mbi 90 përqind e mjeteve me targa serbe gjenden në katër komunat e veriut, ku jetojnë 30-35 mijë serbë nga 105.000 që ka Kosova. Dmth një e treta e serbëve jeton në Verii të Kosovës. Por mbajtja e targave serbe përdoret për të thënë se këta serbë nuk e njohin shtetin e Kosovës. Pikërisht këtu qëndron konflikti.
Ndërsa shtyrja për dhjetë muaj, sa kërkuan amerikanët, duhej shoqëruar me garanci se nuk do të ndodhte e njëjta gjë edhe pas dhjetë muajsh. Kjo garanci nuk u dha. Nuk e di se çfarë garancish ka dhënë ambasadori Hovenier, por fakti që Kurti lëshoi dhe i dha fund konfliktit të targave do të duhej të shoqërohej me zhvillime të tjera pozitive për Kosovën. Kryeministri Kurti thotë se marrëveshja për targat midis Kosovës e Serbisë është kushtëzuar me rifillimin e bisedimeve për projektin franko-gjerman dhe përmbylljen deri në pranverë të bisedimeve për këtë.
Më duket kjo pak e paarsyetuar. Sepse një ngërç shumë i thjeshtë po merr kohë me muaj të tërë. Ndërkohë që projekti në fjalë ka aq shumë çeshtje të kontestueshme. Beogradi e konteston në tërësi. Por Kosova ballafaqohet me kërkesën për krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj se këto ngërçe do të tejkalohen për gjashtë muaj. Të shohim!
- Kur pyes si po vepron Kurti kam parasysh se duket se Kosova po penalizohet në këtë drejtim dhe për këtë debat pra Targat pasi ministrta shtynë këtë javë diskutimin për liberalizimin e vizave me Kosovën për shkak të situatës në Veri.
Mendoj se Kosova tashmë është e penalizuar! Atë e penalizon një kryeministër shqiptar që bashkëpunon me Serbinë kundër saj. Një kryeministër i Shqipërisë që bën thirrje të mos i bëhet trysni Aleksandër Vuçiq, ndërkohë që e gjithë klasa politike shqiptare duhet të kërkojë pikërisht këtë nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse shqiptarët mëshirojnë presidentin serb, ne nuk duhet të jemi në fakt hatërmbetur nga Joseph Borrell.
Kosova është e penalizuar nga nënshkrimet e paraardhësve të Albin Kurtit për Asosacionin dhe për çdo gjë tjetër. Psh ajo marrëveshja e 2015-ës për targat mund të mos ishte nënshkruar, sepse marrëveshja e vitit 2013 e përcakton përdorimin e targave të Kosovës në gjithë territorin. Serbët nënshkruajnë. Pastaj pendohen dhe kërkojnë të ridiskutojnë marrëveshjet. Pala e Kosovës para Kurtit i ka bërë të gjitha lëshimet e nevojshme në dobi të Serbisë derisa më në fund erdhi te ideja e Vuçiq për shkëmbim territoresh.
Në këto kushte Albin Kurti po përpiqet të shpëtojë çfarë mund të shpëtojë. Por nuk është lehtë, pikërisht për shkak të ndëshkimit që i është bërë dhe i bëhet Kosovës nga vetë shqiptarët.
- Kurti duket qartë se nuk ka shumë mbështetje edhe brenda Kosovës flas për partitë opozitare. Kur bëhet fjala për çështje kombëtare kombi duhet të jetë një, por që nuk rezulton kështu.
Po. Në Kosovë ka shumë politikanë opozitarë dhe njerëz publikë që kontestojnë gjithçka që bën Kurti. Dhe duket sikur mbajnë anën e Serbisë në raport me kryeministrin e Kosovës. Por më bëri përshtypje një deklaratë e kryetarit të Partië Demokratike, Memli Krasniqi pas kthimit nga një vizitë e tij në SHBA. Ai e kontestoi projektin franko-gjerman dhe i dha mbështetje zotit Kurti për të kërkuar njohjen e ndërsjelltë në atë marrëveshje. Më pas tha se nënshkrimin e marrëveshjes do duhet ta kushtëzojmë me anëtarësimin në NATO dhe në BE.
Zoti Krasniqi është kryetar i partisë më të madhe opozitare. Dhe mendimi i tij m’u duk racional dhe në dobi të Kosovës. Kjo do të thotë se jo gjithë opozita i kundërvihet kryeministrit të Kosovës. Janë disa ekstremistë e egoistë të pandreqshëm, që kanë në përparësi hakmarrjen dhe urrejtjen brenda-shqiptare. Ndërkaq kundërshtarë të zotit Kurti dhe përkrahës të zotit Vuçiq gjenden sidomos në qeverinë e Tiranës. Këta luajnë rolin më destruktiv në këtë konflikt.
- Pa marrëveshje për targat, mos njohje të shtetit Kosovar nga Serbia, jo lëvizje e lirë në BE për shtetasit Kosovar. Çfarë do të thotë kjo, mungesë vullneti, jo dashamirësi nga ana e BE për Kosovën apo pamundësi e BE për të sheshuar mosmarrëveshjet në Ballkan?
Të nesërmen e dështimit të bisedimeve në Bruksel, pra më 22 nëntor, u mblodhën në Bruksel ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së dhe për çudi e hoqën nga rendi i ditës shqyrtimin e projektit çek për liberalizimin e vizave me Kosovën. Nuk tha askush pse ndodhi kjo. Por duket qartë se Borrell është hakmarrë për dështimin e tij në ato bisedime. Sepse dështimi i bisedimeve tetë orëshe të datës 21 nëntor ishte shuplakë për integritetin e diplomatit spanjoll.
Por kësaj hakmarrjeje dikush iu përgjigj me kënaqësi kërkesës së Borrell. Nuk është vështirë të dallohet se kush, sepse disa vende Europiane bënë deklaratat e tyre pas atyre bisedimeve. Ndonjë prej tyre këmbnguli me forcë për të ngritur asosacionin si kusht për normalizim të situatës e jo vetëm të shtyhej vendimi për targat. Se p.sh Parisi është pro Serbisë, kjo gjë nuk është sekret. Po ashtu Spanja e ndonjë vend tjetër. Prandaj duhej ajo që ndodhi në Bruksel midis Borrell dhe Kurtit e të penalizoheshin 2 milionë shqiptarë të Kosovës me mosliberalizim vizash.
Mendoj se ky qëndrim është përzierje e përpjekjeve për presion ndaj Prishtinës, sidomos për implementimin e asosacionit serb dhe e mosmarrëveshjeve që ekzistojnë brenda unionit. Ka shumë paragjykime, ka shumë llogari elektorle Brenda këtyre vendeve, ka shumë skepticizëm bazuar në miqësitë e armiqësitë historike. Shkurt, vetë Europa nuk e ka lënë pas të shkuarën dhe i kërkojnë Kosovës të harrojë genocidin serb të para 23 – 24 viteve.
8. Dhe kemi vazhdimisht deklarata nga presidenti serb Vuçiç për prag konflikti. Është ky presion karshi Kosovës apo thjesht taktikë për ta bërë BE-në të mendoj se këtë konflikt e nxit Kosova?
E thashë dhe në fillim, Vuçiq bën gjithçka që mundet për të krijuar idenë se në Kosovë do të ketë konflikt midis shqiptarëve dhe serbëve, me qëllim që ta trembë Europën me nisjen e një konflikti të ri në Ballkan. Në kushtet e luftës në Ukrainë, kjo përpjekje e presidentit serb jep efektet e veta. Mirësjellja europiane ndaj Vuçiq buron edhe nga kjo lloj taktike e tij.
Për mendimin tim nuk ka shans që në Kosovë të ketë ndonjë konflikt. Në veri të Kosovës veprojnë bandat, njësoj siç vepronin në jug të Shqipërisë në vitin 1997. Bandat janë të afta të destabilizojnë një pjesë të territorit, por jo ta çojnë vendin në konflikt. Aq më tepër se te serbët në veri të Kosovës nuk ka frymë konflikti. Madje ata janë lodhur nga lojërat politike të Beogradit, i cili përkrah banditët, të cilët dëmtojnë edhe interesat e popullatës serbe në veri.
- Duket sikur pritet me padurim një ndërhyrje e SHBA p r të gjetur një zgjidhje. Pse nuk nderhyn SHBA?
Këshilli i Sigurimit ka ngarkuar Bashkimin Europian si ndërmjetës të bisedimeve dhe dialogut Kosovë-Serbi. Kësisoj nga pikëpamja institucionale është vështirë që situatën ta marrin në dorë amerikanët. Sidomos sa kohë nuk do të ketë një autorizim të Këshillit të Sigurimit. Por amerikanët janë aktivë. Ata janë faktorizuar në dialog nga pala e Kosovës. Kurti refuzoi Borrellin, por nuk refuzoi Hovenier. Kjo ishte një shuplakë e madhe për shefin e diplomacisë europiane. Sepse bota krijon përceptimin se ai është i paaftë të negociojë, ndërkohë që amerikanët e bëjnë këtë punë me shume efektivitet.
Fakti që Memli Krasniqi foli me një zë tjetër shumë më pozitiv e optimizëm për dialogun rreth projektit franko-gjerman, do të thotë se amerikanët janë aktivë në këtë dialog. Dhe dialogu nuk do të përfundojë pa u pajtuar plotësisht amerikanët me rezultatet e tij. Kjo do të thotë se formalisht ndërmjetëson Brukseli, në fakt do të vendoset në Uashington. Kjo do të ndodhë edhe për shkak se Vuçiq me amerikanët nuk luan dot asish, siç thoshte Thaçi!
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*