“Duhet të jemi më shpesh bashkë”/ Kurti: Do i tregojmë botës se ne shqiptarët jemi në gjendje të bëjmë shtet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbjatur fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët për 110 vjetorin e Pavarësisë.

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka bërë thirrje për rritje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kurti tha se qeveritë e dy vendeve nuk duhet të takohen vetëm në festa, por duhet të punojnë më shpesh bashkë dhe t’i pranojnë kritikat njëri tjetrit.

“Stërgjyshërit tuaj kanë derdhur gjak për projektin e quajtur Shqipëri, gëzuar festën e shenjtë për identitetin tonë kombëtar, gëzuar 28 nëntorin historik të Skënderbeut, Ismail Qemalit e Adem Jasharit. Sipas shumë studiuesve mendohet se deklarata e pavarësisë është shkruar nga Luigj Gurakuqi, por 7 vite më pas Traktati i Londrës copëtoi territoret, Gurakuqi shkruante: 28 nëntori edhe një ditë pendimi kur mbledhim mendjen, të vëmë dorën në zemër dhe të pyesim veten a e kemi bërë detyrën ndaj atdheut, të njohim pa turp fajet tona, t’i japim vëllazërisht dorën njeri tjetrin dhe të betohemi se do të përpiqemi për të mirën e atdheut tonë. Gurakuqi ishte aktiv në Toskëri e Kosovë, ndarjet krahinore ishin prapambeturi atëherë, ashtu janë edhe sot.

Prandaj ne duhet të kontribuojmë, hapësira jonë nuk janë çifligje të bllokuara me tapi. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte dhe jo vetëm ne politikanët, të punojmë sëbashku. Teksa në Evropën Lindore po vinte demokracia dhe teksa muri i Berlinit ra, një shkencëtar kosovar Ukshin Hoti thoshte se politikanët shqiptarët duke thelluar ndarjen mes vete po u jepte arsye atyre që donin t’i shihnin të ndarë si popull. Jam e sigurt se të gjithë ju këtu pajtoheni me mesazhin e Luigjit dhe atë të Ukshinit. Nderojmë të kaluarën që na përbën sot dhe ecim bashkë, në Kosovë i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake e atyre të tanishme. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe ka bërë të dukshmë në shumë fusha, urojmë t’i shtohen çdo ditë sukseset këtij flamuri. Kemi tashmë abetaren e përbashkët dhe po punohet për fjalorin e përbashkët enciklopedik, kemi unifikuar tregjet e punës, kemi financuar sëbashku projekte. Situata nuk është askund rozë dhe nëse ndalojmë së punuari, menjëherë rrezikojmë, problemi më i mprehtë është largimi i të rinjve nga vendi. S’është ditë për halle por, kam diçka për ata që marrin rrugën e dhimbshme të mërgimit, kjo ditë është e juaja, e di se atje po shkoni prej brengës, e di që ende s’kemi bërë mjaftueshëm t’u kthejmë besimin që ju të rritni fëmijët në vendin tuaj por ju garantoj se Shqipëria bëhet, Kosova bëhet! Nderi e besa janë cilësitë tona dhe me siguri do i tregojmë botës se ne shqiptarët jemi në gjendje të bëjmë shtet. Gëzuar nga zemra, mbarësi e mirësi për shqiptarët”, deklaroi Kurti.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *