Arjola Deda është shqiptarja e cila e ka shndërruar aftësinë e kufizuar në një forcë të madhe. Edhe pse e verbër ajo është mbajtëse e 5 medaljeve europiane në disiplinën kërcim së gjati.
E lindur në vitin 1981 në Tiranë, ajo është larguar me gomone drejt Italisë në moshën 17 vjecare së bashku me familjen. Në Itali ajo zbuloj se verbëria nuk është një limit, që kufizon aftësinë e saj për të qenë e suksesshme falë punës e meritokracisë.
“Në adoleshencë kam jetuar aftësinë e kufizuar fizike si një deficit, por më pas zbulova sportin. Këtu garojmë të gjithë të barabartë e janë vetëm aftësitë tuaja që të vlerësojnë”. Këto fjalë janë motivi i suksesit të Arjola Dedaj, shqiptare e Italisë, kampione e botës në lojërat paralimpike të Londrës në vitin 2017, në disiplinën kërcim së gjati e mbajtëse e 5 medaljeve europiane.
Aktualisht ndodhet në Poloni ku në datat 1 – 5 qershor 2021 do të garoj për Kampionatin paralimpik euopian të atletikës së lehtë në ekipin kombëtar të atletëve italianë. Italia u bë për Arjola Dedaj, atdheu i dytë e mundësia e një jete pa paragjykime fizike.
Në kampionatin paralimpik të Polonisë, shqiptarja Arjola Dedaj, garon së bashku me partnerin e saj Emanuele De Marino, atlet në garat 100m, 200 m, 400m. “Kjo është një sfidë e re për ne, thotë Arjola, pasi për herë të parë garojmë me fanellën italiane si prindër e rrugëtimi familjarë është jo vetëm i bukur por dhe mjaft impenjativ, por që nuk na larguar nga objektivat tona si sportistë të skuadrës kombëtare të atletikës së lehtë paralimpike italiane.”
Arjola e Emanuele formojnë së bashku “çiftin e ëndrrave” e siç shkruajnë në blogun e tyre e “nuk harrojmë kurrë mundësitë që na ofron jeta”. Në mars të 2021, pra vetëm dy muaj më parë Arjola Dedaj theu një tjetër rekord të saj duke e çuar në 4.60 kërcimin e saj, pra 60 cm më shumë se rekordi aktual që mban. Mundësia e jetës së Arjolës qe zgjedhja e saj për të emigruar. Në Shqipëri askush nuk do të mund të zbulonte talentin e saj.
Arjola është sot Kampionia botërore që i mungon historisë shqiptare e shqiptare e suksesshme që zgjodhi një vend që e vlerëson për aftësitë e saj pa paragjykime.
/Priza.al/