Dy efektivët e policisë të cilët grabisnin qytetarët tek Liqeni Artificial, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.
Bëhet fjalë për Sajmir Muzikantin dhe Serxhio Canim të cilët janë njohur sot më masën e sigurisë, pasi më herët ishin zbuluar veprat e tyre penale.
Polici bashkiak i kryente grabitjet gjatë kohës që ishte në krye të detyrës, gjë që faktohet edhe nga dëshmia e tij.
“Sa herë që isha turni i tretë në punë merrja në telefon Serxhion dhe i thoja hajde dalim nga Liqeni. Për shkak të kredisë që kam detyrohesha t’u merrja paratë me zor qytetarëve. Këtë gjë e kam bërë në bashkëpunim me Serxhion”, ka dëshmuar ai.
Ndërsa Serxhio Cani, me detyrë polic patrulle ka mohuar se është përfshirë në grabitje. Por, provat e mbledhura nga kolegët e tij dhe oficerë të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore hedhin poshtë qëndrimet e 22 vjeçarit.
Dy policët, vepronin kryesisht në zonën e Liqenit Artificial sapo binte errësira.