Vullkani më i madh aktiv në botë, Mauna Loa i Hawait, ka shpërthyer për herë të parë në 40 vitet e fundit.
Rrjedha e llavës është vënë në pjesën e saj më të madhe nën kontroll, por banorët janë vënë në gatishmëri dhe janë paralajmëruar më herët për rrezikun e rënies së hirit.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS) ka thënë se situata mund të ndryshojë me shpejtësi.
Asnjë urdhër evakuimi nuk është lëshuar ende.
BBC raporton se zonat e populluara nuk ka gjasa të preken në këtë fazë të vullkanit.
Mauna Loa, e vendosur brenda Parkut Kombëtar të Vullkaneve të Hawait, mbulon gjysmën e ishullit të madh të shtetit amerikan. Vullkani ndodhet 4,169m mbi nivelin e detit dhe përfshin një sipërfaqe prej më shumë se 5,179 km katrorë.
Vullkani shpërtheu në orën 23:30 me kohën lokale të së dielës (09:30 GMT të hënën) në Moku’āweoweo, kaldera e majës së vullkanit.
Kalderat janë zgavra që formohen poshtë majës në fund të një shpërthimi.