Prej afro një vit nuk ishte parë një ulje kaq e madhe e çmimit të naftës në tregjet botërore. Duke shkuar në 81 dollarë për fuçi dhe 870 dollarë për tonë për mjetet.
Prej më shumë se dy javësh tashmë, çmimi i saj qëndron nën kufirin e 1000 dollarëve për ton. Kjo rënie drastike vjen pas rënies së kërkesës nga Kina, importuesi më i madh në botë, për shkak të trazirave kundër masave të Covid dhe vendosjes së një çmimi tavan nga Europa për naftën ruse.
Maqedonia e Veriut e cila vazhdimisht po tregon me Komisionin e saj Rregullator se është një hap përpara Bordit shqiptar mori vendimin me uljen e naftës me 3 lekë mesnatën e së dielës, ndërsa në Shqipëri qytetarët vijojnë ta paguajnë më shtrenjtë.
Pse? Sepse në çdo litër karburant që blejnë shqiptarët shteti i arkëtohet më shumë para si pasojë e vjeljes së TVSH-së nga 20 lekë që merrte më parë tashmë marrin 50 lekë. Më pas dalin Ministret e financave dhe shprehen se pavarësisht krizave shteti ka arkëtuar më tepër para dhe po këtu nuk gënjen por çmimi i lart i karburantit i nevojitet të jetë në shifra statosferike pushtetarëve.
Nga vendimi i fundit i Bordit shqiptar fuçia e naftës ka rënë me 56 dollarë, ndërsa edhe dollari, e cila është pjesë përbërëse e formulës është dobësuar nga vendimi i fundit në 25 Nëntor me 0,72 pikë, gjë e cila automatikisht duhet ta bënte naftën në Shqipëri deri në 5 lekë më të lirë. Por bordi i transparancës së çmimit të naftës ende nuk është mbledhur për të marrë vendim e për të ulur çmimin e naftës i cili aktualisht është në 211 lekë për litër. Pushimet e anëtarëve të bordit të naftës për festat e Nëntorit do t’i kushtojnë shqiptarëve minimalisht 5 lekë për çdo litër naftë që do blejnë nga sot. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona lekë të cilat pa të drejtë ikin nga xhepat e konsumatorëve të thjeshtë tek arka e madhe e kompanive të naftës por edhe të qeverisë.
Bursa e Londrës
Ndërkohë, nafta ka shënuar një tjetër rënie me gati 2 Dollarë duke arritur kështu nivelin më të ulët në 11 muaj. Në bursën e Londrës nafta u ul me 2,16 Dollarë ose 2,6 për qind për t’u tregtuar me 81,47 Dollarë për fuçi, më e ulta që nga 11 Janari, ndërsa në bursën amerikane nafta ra me 2,08 Dollarë ose 2,7%, në 74,20 Dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 27 Dhjetori të vitit të kaluar. Tregu mund të mbetet i paqëndrueshëm në varësi të rezultatit të takimit të OPEC+ dhe kufirit të çmimit të naftës ruse. Nëse OPEC + nuk bie dakord për një reduktim të mëtejshëm të kuotës së prodhimit ose Shtetet e Bashkuara nuk lëvizin për të rimbushur rezervat e saj strategjike të naftës, çmimet e naftës mund të rritet më tej. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët, të njohur si OPEC+, do të takohen më 4 Dhjetor. Në Tetor, OPEC + ra dakord të reduktojë objektivin e tij të prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2023. G7 dhe diplomatët e Bashkimit Evropian kanë diskutuar një kufi të çmimit të naftës ruse midis 65 dhe 70 Dollarë për fuçi, me synimin për të kufizuar të ardhurat për të financuar ofensivën ushtarake të Moskës në Ukrainë, pa prishur tregjet globale të naftës. Kufiri i çmimit do të hyjë në fuqi më 5 Dhjetor kur të fillojë ndalimi i BE-së për naftën bruto ruse.
Shqiptarët kanë paguar 185 milionë euro më shumë për karburant këtë vit
Ndonëse po konsumojnë më pak karburant për shkak të çmimeve të shtrenjta, konsumatorët shqiptarë po shpenzojnë shumë më tepër për të mbushur serbatorët e automjeteve të tyre këtë vit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, kompanitë tregtuese të naftës kanë importuar 9.2% me pak karburante gjatë nëntë mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. E kundërta ka ndodhur me shpenzimet e shqiptarëve, të cilët kanë paguar mesatarisht 26% më shtrenjtë për karburante brenda një viti ose rreth 185 milionë euro më tepër për të blerë më pak karburant në sasi. Shifra është përllogaritur nga Monitor, bazuar në importet mujore sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe çmimin mesatar mujor të naftës, që publikohet nga INSTAT (shiko grafikun: Ndryshimi mujor i konsumit të karburanteve në sasi dhe në vlerë). Mesatarisht, çdo muaj janë shpenzuar rreth 20 milionë euro më shumë për të blerë naftë apo benzinë, me nivelet më të larta që janë shënuar në periudhën qershor-shtator, kur dhe lëvizjet janë më të shumta për shkak të sezonit turistik. Në janar dhe shkurt, konsumi i karburanteve shënoi tendencë rritëse në sasi, me përkatësisht 13 dhe 8.4%. Në mars, pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm si rrjedhojë e problemeve që u krijuan në furnizimin globale me këtë produkt. Nafta kërceu në vend nga rreth 185-190 lekë në fund të shkurtit në 235 lekë në ditët e para të marsit, duke qenë 42% më e shtrenjtë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe pas krijimit të Bordit të Transparencës, karburanti vijoi tendencën rritëse, duke kulmuar në qershor, kur çmimi mesatar arriti në rekordin historik të të gjitha kohërave prej 254 lekë për litër. Në muajt në vijim tendenca ishte në një rënie, por të lehtë, duke arritur në shtator në 225 lekë/litër, niveli më i ulët që nga shkurti. Por sërish nafta ishte 34% më e shtrenjtë se shtatori i një viti më parë (shiko grafikun: Ecuria e çmimeve të naftës, sipas muajve).
Importet e karburanteve
Shifrat tregojnë se vendi ka importuar rreth 462 mijë ton karburante gjatë 9 mujorit të 2021 dhe rreth 419 mijë ton gjatë 9 mujorit të 2022. Për të parat, qytetarët shqiptarë kanë paguar të paktën 700 milion euro dhe për të dytat 890 milion euro. Për llogaritjet e kryera Monitor është bazuar në raportet mbi importin e marrave kryesorë të akcizës, përkthimin e sasive në litër (1 ton naftë=1120 litër naftë) dhe në vlerë dhe çmimeve mesatare të naftës dhe benzinës referuar të dhënave zyrtare të Instat dhe Ministrisë së Financës. Deformimi i kërkesës dhe niveli në të cilin çmimet e larta ndikojnë në sjelljen e konsumatorëve shqiptarë si pasojë e rritjes së kostove të karburantit mund të mos jetë vendosur ende në një shkallë të gjerë, por ndikimet kanë filluar të ndjehen në të gjithë ekonominë. Çmime më të larta të karburanteve do të thotë jo vetëm para të nxjerra nga xhepat e konsumatorëve shqiptarë, por edhe rritje të kostove për kompanitë, që e kalojnë këtë kosto te produkti apo shërbimi final për konsumatorin.