Autoritetet franceze shpëtuan sot 61 emigrantë, përfshirë disa fëmijë, në Kanalin Anglez, në një nga operacionet më të mëdha të shpëtimit në muajt e fundit, pasi kushtet e mira atmosferike favorizuan flukset e emigrantëve në brigjet e Britanisë.
Ekipet e shpëtimit në portin e Boulogne, ku u dërguan emigrantët, thanë se rreth 30 persona u tërhoqën nga ujërat e akullta pasi ranë në det teksa po përpiqeshin të hipnin në një anije franceze nga varka në të cilën ndodheshin. Gomonia kishte filluar të merrte ujë dhe ata ishin në rrezik të menjëhershëm, shtuan ata.
Operacioni i shpëtimit u zhvillua rreth një milje detare brenda ujërave territoriale britanike, thanë zyrtarët.
Afganë, indianë, iranianë dhe pakistanezë ndodheshin në bordin e gomones e cila ishte nisur nga brigjet franceze në orët e para të mëngjesit. Me të mbërritur në Boulogne, shpëtimtarët shpërndanë rroba dhe batanije termale për emigrantët.