Dosja e vrasjes së efektivit të policisë Xhuliano Prela ka kaluar për gjykim, ndërsa Gjykata ka marrë të pandehur Redion Hysa dhe Nikoll Sherniku.
Efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhuliano Prela, u vra në dhjetor të vitit 2020 në autostradën Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush. Prokuroria ka ngritur akuza ndaj Redion Hysa dhe Nikoll Sherniku.
Konkretisht, Redion Hysa do të përballet në gjykatë me akuzat, “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit” “Kanosje” si dhe “Prishje se rendit dhe qetësisë publike”. Ndërsa për Nikoll Shernikun, është ngritur akuza “Përkrahje e autorit të krimit”.
Redion Hysa bashkë me kushëririn e tij Sokol Hysa u arrestuan më 28-dhjetor të vitit 2020, pasi sipas policisë kishin qëlluar në drejtim të karburantit. Kamerat e këtij të fundit kishin filmuar vrasjen e policit.
Pozita e Redion Hysës përballë drejtësisë, u rëndua në muajt në vijim, pasi njëra nga armët, pistoleta e gjetur në depozitën e ujit që ndodhej mbi tarracën e shtëpisë së tij, ka rezultuar se ishte përdorur në ngjarjen e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH-së, Xhuliano Prela.
Ekspertiza balistike, ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit, ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend i cili u gjend i pajetë, efektivi i policisë. Madje ekspertët, shtojnë se edhe predha, që i ka marrë jetën punonjësit të policisë, është qitur pikërisht nga arma e gjendur në banesën e Redion Hysës.
Për këtë fakt, Hysa është njohur me rezultatin e ekspertimit balistik dhe gjetjen e armës në depozitën e ujit tek shtëpia e tij, por ai ka preferuar të mos flasë dhe mos japë asnjë shpjegim rreth provave të siguruara nga policia dhe prokuroria. Aktualisht çështja është në gjykim paraprak dhe do të jetë gjykata që tashmë do të vendose kalimin për gjykim themeli apo rikthimin në prokurori për plotësim hetimesh.
Konflikti dyshohet të ketë nisur pas një sherri momental, pasi palët janë konfliktuar për dritat e makinës së njërës prej tyre që rrezatonin mbi palën tjetër.
26-vjeçari po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia. Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen.