Pavarësisht kritikave para Kupës së Botës, përfaqësuesja spanjolle ka emocionuar pjesën më të madhe të vendit falë fitores ndaj Kosta Rikës dhe barazimit ndaj Gjermanisë. Skuadra e Luis Enrique-s ka arritur të tërheqë shumë njerëz që dyshuan te asturiani dhe lojtarët që ai solli në Katar.
Një nga ata që e mbështetën skuadrën në atë fitore kundër Kosta Rikës ishte Mbreti Felipe VI, i cili nuk donte të mungonte në debutimin e Spanjës. Pas fitores, monarku zbriti në dhomat e zhveshjes për të uruar lojtarët, të cilëve u shtrëngoi duart një nga një dhe stafin e trajnerit. Si dhuratë ai mori një fanellë të firmosur nga të gjithë futbollistët dhe gjëja qesharake është se fanella kishte numrin ‘9’, atë të Gavit, i cili bëri një ndeshje të madhe dhe që në moshën 18-vjeçare u bë më i riu që shënoi në Kupën e Botës me Spanjën.
Duket se Felipe VI e ka veshur atë fanellë jo rastësisht. Sipas programit të Telecinco ‘Socialité’, princesha Leonor ka shprehur simpati për lojtarin e Barçës dhe madje ka realizuar një album me fotot e tij me Spanjën dhe Barcelonën. Përveç kësaj, fanella që i dhanë ishte më e vogël se ajo që mban zakonisht mbreti dhe në rrjetet sociale kanë spekuluar se kjo bluzë në fakt ishte për vajzën e tij 17-vjeçare.