Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka fyer kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për përzgjedhjen e Nenad Rashiqit ministër për Komunitete dhe Kthim. Ai ka fyer edhe ministrin e ri, si dhe këshilltaren e tij, Rada Trajkoviq. Rashiqin e Trajkoviqin i ka quajtur “lluma serbë nga fundi i koshit të mbeturinave”, ndërsa Kurtin “llumi terrorist”.
“Zgjedhja e Rashiqit, një njeriu që i ka marrë më pak se një për qind, si dhe e Rada Trajkoviqit, që ishte në listën e tij, tregon se ata duan persekutimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë”, ka thënë Vuçiqi të enjten për “Pink”.
Sipas Vuçiqit, nuk “ka njerëz më të këqij” se Rashiqi e Trajkoviqi dhe se ata nuk e kanë besimin e serbëve në Kosovë, “por besimin e agjencive të Perëndimit dhe llumit terrorist Kurti”.
Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të reagojë ndaj emërimit të Rashiqit, ndërsa ka kërcënuar se delegacioni i Serbisë do të refuzojë pjesëmarrjen në Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë më 6 dhjetor për shkak të këtij vendimi të Kosovës.
Rashiqi u emërua të enjten ministër duke zëvendësuar Goran Rakiqin e Listës Serbe, që ka dhënë dorëheqje javë më parë pas tensioneve për targat. Lista Serbe ka të gjitha ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Rashiqi është kryetar i Partisë Demokratike Progresive, që s’është pjesë e Parlamentit.