I ktheu patentën një gruaje për 70 mijë lekë, arrestohet efektivi i policisë dhe sekseri

Një punonjës i Policisë në Tiranë është arrestuar për shpërdorim detyre.

Burime për mediat bëjnë me dije se në pranga ka përfunduar Alkid Ndreu, anëtar i Komisionit të gjobave, në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Sipas hetimeve është zbuluar se Ndreu ka marrë 70 mijë lekë të reja për dhënien e patentës së një shtetaseje që ishte pezulluar për tre muaj.

Në pranga ka rënë dhe sekseri Eduart Caka, ndërsa nën hetim në gjendje të lirë është edhe gruaja që dha ryshfet me inicialet B.D.

Njoftimi:

Drejtoria Rajonale e A.M.P-së Tiranë ka arrestuar një ditë më parë në flagrancë të punonjësit të policisë Alkid Ndreu me detyrë specialist i administrimit të dokumentave dhe anëtar i OASH, i dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, si dhe shtetasit E.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja B.D., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim.

Veprimet e mësipërme u kryen nga AMP Tiranë pas autorizimit nga Prokurori i gatshëm, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se shtetasja B.D. kishte arritur të merrte Lejen e saj të Drejtimit, e cila ishte e bllokuar nga OASH me afat 3 mujor, kundrejt një shume prej 70.000 lekësh e dhënë në formën e rryshfetit tek personat përgjegjës. Nga veprimet hetimore në vijim u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i Lejes së Drejtimit që në atë moment posedohej nga shtetasja B.D.

Vijimi i veprimeve bëri të mundur identifikimin e kapjen e personit ndërmjetës, shtetasi E.C., i cili duke shfrytëzuar njohjet dhe kundrejt shpërblimit financiar të paligjshëm, ka bërë të mundur marrjen e lejes së drejtimit nga punonjësi i policisë A.N., i cili ka detyrimin ligjor të administrimit deri në skadencë të vendimit të OASH dhe dorëzimin e lejes tek shtetasja B.D.

Materialet proceduriale i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa po punohet për identifikimin e punonjësve të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *