Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gramsh ku është dhunuar një mjek.
Uniformat blu raportojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së djeshme në banesën e mjekut të familjes, Vladimir Shuli.
Persona të paidentifikuar janë futur në banesën e tij ku e kanë dhunuar barbarisht dhe e kanë goditur me mjete të forta në fytyrë dhe në trup. Si pasojë e goditjeve mjeku ka marrë dëmtime të shumta në nofull dhe kokë, ndaj ka rënë në gjendje kome.
60-vjeçari është gjetur ne gjendje kome nga të afërmit brenda banesës dhe është dërguar menjëherë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Mbrëmjen e datës 30 nëntor, është dërguar nga familjarët, në spitalin e Gramshit, për ndihmë mjekësore, pasi ishte dëmtuar në fytyrë, shtetasi V. Sh., 60 vjeç, me detyrë mjek.
Nga veprimet paraprake hetimore, u konstatua se ky shtetas vuante nga probleme shëndetësore (hipertension).
Në vijim të hetimeve të thelluara për këtë rast, Policia ka identifikuar 2 autorët e dyshuar dhe ka referuar materialet në Prokurori, për ta, pasi dyshohet se kanë goditur shtetasin V. Sh.
Për të ruajtur konfidencialitetin e hetimeve që po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera.