Dhjetori është muaji ku shpallen Çmimet Kombëtare të Letërsisë, nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shprehet se për vlerësimin e veprave juria ka nisur punën, që në muajin e parë të këtij viti. “Të kthyera tashmë në traditë, për letërsinë shqipe, juria, e zgjedhur për gjykimin e veprave të një viti kalendarik, ka nisur punën që në janar të këtij viti, për të mbërritur në fund të këtij muaji me vlerësimet për veprat më të mira në gjashtë kategori për vitin 2021”, thuhet nga QKLL. Çmimet që do të jepen janë: “Romani më i mirë i vitit”; “Vëllimi më i mirë poetik i vitit”; “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit”; “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit”; “Përkthimi më i mirë i vitit” dhe “Libri për fëmijë më i mirë i vitit”. Juria, e kryesuar nga akademike Floresha Dado, me anëtarë shkrimtarin Virion Graçi, akademikun Kujtim Shala, zv.dekanen e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT, Elsa Skënderi Rakipllari dhe dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, Esmeralda Kromidha, do të bëjnë me dije më 5 dhjetor, 5 finalistët për çmimin e madh, për gjashtë kategoritë e mësipërme. Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë një traditë, që po vijon prej vitesh, ku dhe në dhjetor të një viti më parë u vlerësuan autorë dhe vepra. Edhe një vit më parë në një aktivitet gala, me pjesëmarrjen e aktorëve Viktor Zhusti, Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami, Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndanë Çmimet Kombëtare të Letërsisë, për vitin 2020, për veprat më të mira në gjininë e prozës, poezisë, librit studimor, librit për fëmijë dhe përkthimit. Misioni i QKLL-së është ndjekja dhe zbatimi i projekteve në fushën e librit, sipas programit qeverisës të ministrisë përgjegjëse për librin.
Çmimet Kombëtare të Letërsisë/ Finalistët shpallen në 5 dhjetor
Leave a comment