Nga Roland Qafoku:
Kjo foto është realizuar mbrëmë nga fotoreporteri zyrtar i agjencisë së lajmeve serbe “Tanjug”. Ka bërë xhiron e rrjetit jo vetëm për ne shqiptarët por edhe për serbët dhe më gjerë. Gazetari i gazetës së Beogradit “Blic” ka shkruar në diçiturë: Futbollistët e Serbisë dhe Zvicrës përplasen mes tyre. Në fakt është shqiptari I Kosovës Granit Xhaka që përleshet me katër futbollistë serbë dhe në ndihmë në këtë moment i vjen i vetëm Breel Embolo. Por gazetari serb nuk e evidenton se ai është shqiptar. Është vërtetë një foto epike dhe që do mbetet në histori edhe për shkak se autori i saj është serb. Fotoja e dytë i takon 14 tetorit 2014 në Beograd në takimin mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe në të është Taulant Xhaka vëllai i Granitit, jo kundër katër por 11 futbollistëve serbë. I vetëm, në mes të Beogradit, përfaqëson ngjyrat e Shqipërisë dhe tregon më shumë se sa karakter dhe guxim. Të gjithë ne shqiptarët mbrëmë ishim me Zvicrën për arsyen e vetme se thelbi i atij ekipi janë dy shqiptarët Xhaka dhe Shaqiri. Të dy treguan talent dhe me rezultatin e arritur mposhtën një ekip që nuk ia shmang dot nacionalizmin. Por pas përfundimit të ndeshjes të gjithë besoj ndjehemi dhe jemi krenarë akoma më shumë për Xhakën e kombëtares së Shqipërisë. Na mungon në kombëtare karakteri i tij edhe pse ndonjëherë edhe e ka tepruar me ndonjë llastim ndaj trajnerëve. Vërtetë Graniti është më i talentuar, por Taulanti ka treguar se mbetet simboli i një futbollisti më me gjak dhe që lufton deri në pikën e fundit të djersës për flamurin shqiptar. Dhe të imagjinosh që në kombëtaren aktuale ka futbollistë që nuk dinë as shqip dhe që nuk e dinin që ishin shqiptarë derisa ia zbuloi dikush. Si Taulanti dhe Graniti janë legjenda për atë që i kanë dhënë krenari kombit shqiptar, por Taulanti qëndron shumë më lart. Qoftë edhe për shkak të kësaj foto që po botojmë këtu. Përfaqëson Shqipërinë.