Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, do të zhvillohet nga mesi i qershorit.
“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime. Me programin tonë dhe me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do ta përfaqësojmë Kosovën”, tha Kurti.
Kryeministri kosovar i bëri komentet gjatë një vizite në Parkun e Biznesit në Prizren. I pyetur nga gazetarët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.
“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.”