Media amerikane me bazë në New York “NY Glamour” ka vendosur në qendër të vëmendjes artistin shqiptar Kastro Zizo, duke i dedikuar një artikull.
Me titull “Kastro Zizo: Si Oscars më hapi dyert për projekte më ambicioze”, ky shkrim nis me nominimin që artisti shqiptar pati në çmimet Oscars në vitin 2013 me pjesëmarrjen në filmin “Pharmakon” me rolin kryesor “Branko”. Në atë kohë, filmi dramatik me metrazh të gjatë u përzgjodh si kanditati shqiptar në kategorinë “Filmi më i mirë i gjuhës së huaj”.
Duke u kthyer pas në kohë që në fillimet e karrierës së tij, çmimet e fituara, pjesëmarrjet në evenimente të ndryshme e deri tek disa prononcime të Kastros posaçërisht për “NY Glamour”, ky shkrim vlerëson talentin dhe punën e artistit shqiptar.
Ata e cilësojnë Kastron si një sensacion ndëkombëtar i cili me talentin e tij, ka kontribuar në artin shqiptar e jo vetëm.
“Kastro Zizo ka bërë histori në muzikë, argëtim dhe historinë e artit të Shqipërisë duke krijuar zhanre të reja muzikore, i njohur më së shumti për kontributin e tij në krijimin e një evolucioni në industrinë muzikore shqiptare”, shkruhet ndër të tjera.
Artikulli mbyllet me deklaratën e artistit shqiptar i cili shprehet se dëshiron që eksperiencat e bukura që ai i kalon dhe i përjeton përmes artit, t’i ndajë me të gjithë.