Autori i një prej golave gjatë fitores 4-1 kundër Koresë së Jugut, Neymar pranoi se kishte frikë se ndoshta nuk do të kthehej në kohë për Kupën e Botës Katar 2022, pasi ylli brazilian pësoi një dëmtim në ligamentin anësor të kyçit të këmbës së djathtë.
Në një intervistë për “SporTV”, numri 10 tha se e kishte kaluar natën duke qarë kur problemi i tij u konfirmua.
“Sigurisht, kisha shumë frikë për dëmtimin. Unë kisha bërë shumë mirë, një sezon shumë të mirë dhe të pësoj një dëmtim gjatë Kupës së Botës është shumë e vështirë. E kalova natën duke qarë, familja ime e di por në fund ia vlejti mundimi.
Atë ditë kam qëndruar deri në orën 11 të mëngjesit duke u trajtuar me fizioterapistin dhe në ditët e tjera deri në orën 5-6 të mëngjesit. Të gjitha vuajtjet janë të vlefshme se mund të kurorëzojmë një titull.
Kisha dyshime edhe frikë, por kisha të gjithë mbështetjen nga familja dhe miqtë. Mora shumë mesazhe të mira, më dërguan energji të mira. Kjo më ngushëlloi shumë. Nuk mund t’i falenderoj të gjithë me mesazhe, por do të përpiqemi që Brazili të fitojë Kupën e Botës”, është shprehur Neymar.